Praet mbi politikat monetare – “BQE nuk është ende gati të nisë normalizimin”
Shefi i ekonomistëve në Bankën Qendrore Europiane, Peter Praet, tha se politikat monetare lehtësuese në Eurozonë do të vazhdojnë, në një kohë që kritikat për përfundimin e stimujve janë shtuar.
Banka Qendrore Europiane bëri të ditur në takimin e muajit Mars se do të blejë tituj borxhi duke mbajtur normat e interesit negative të paktën deri në fund të këtij viti.
Guvernatori i Bankës së Austrisë, Ewald Nowotny ka thënë më parë se Institucioni në Frankfurt do të vendosë më vonë gjatë vitit nëse do të rrisë normat e interesit përpara apo pas përfundimit të programit të blerjes së titujve të borxhit.
Praet ndërkohë, theksoi rritjen e ngadaltë të pagave ndër arsyet se pse Bordi Drejtues i BQE duhet të bëjë durim. Ai shton se ka ende mangësi në tregun e punës në Eurozonë.
Politikëbërësi i BQE, në një intervistë për Il Sole 24 Ore, komentoi edhe në lidhje me partitë anti-euro në Itali.
“Mendimi nostalgjik se çdo gjë do të rregullohet duke vendosur përsëri lirën, është diçka që krijon konfuzion te njerëzit. Kosto e ndryshimit të regjimit monetar do të jetë e madhe dhe pjesa e popullsisë me të ardhura të ulëta do të përballet me koston më të madhe”, tha Peter Praet.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.