Praktikat për mësues-Përcaktohet numri i praktikantëve në sistemin arsimor parauniversitar për vitin 2017!

Në sistemin arsimor parauniversitar gjatë vitit 2017 do të kryejnë praktikën profesionale 1500 praktikantë. Shifra është miratuar nga Këshilli i Ministrave sëbashku me detajet e periudhës kohore kur do të zhvillohen praktikat apo me fondin që do të vihet në dispozicion.
Praktikat për mësues do të zhvillohen në periudhën 1 janar – 15 qershor 2017 dhe për periudhën 15 shtator – 31 dhjetor 2017. Numri i praktikantëve për kryerjen e praktikës profesionale me kontratë të përkohshme sipas njësive arsimore vendore dhe afati kohor i kontraktimit të praktikantëve përcaktohen në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi.
“Praktikantët gjatë periudhës së kryerjes së praktikës profesionale përfitojnë çdo muaj nga punëdhënësi (njësitë arsimore vendore) pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore në emër të punëdhënësit dhe të punëmarrësit, në masën 27.9%. Njësitë arsimore vendore (Drejtoritë arsimore rajonale dhe zyrat arsimore), gjatë periudhës për kryerjen e praktikës profesionale realizojnë çdo muaj pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në emër të punëdhënësit, në masën 16.7% si dhe në emër të punëmarrësit për sigurimet shoqërore e shëndetësore, në masën 11.2%, të përllogaritur” përcaktohet në vendim.
Masa mujore e kontributeve për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore përllogaritet në bazë të pagës minimale mujore, të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave. Ndryshimet në vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave për përcaktimin e pagës minimale në shkallë vendi reflektohen menjëherë në masën e pagesës që punëdhënësi paguan çdo muaj për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Efektet financiare për pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për vitin 2017, të përllogaritur në emër të punëdhënësit e të punëmarrësit, janë në shumën 82 863 000 (tetëdhjetë e dy milionë e tetëqind e gjashtëdhjetë e tre mijë) lekë, e do të mbulohen nga fondet e miratuara në buxhetin e vitit 2017, për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.