Praktikë në institucionet shtetërore – DAP nis programin për të rinjtë nga Shqipëria dhe Diaspora

Duke nisur nga muaji Gusht, të gjithë të rinjtë që kanë mbaruar ciklin e studimeve Bachelor do të kenë mundëinë të fitojë përvojë pune pranë institucioneve shtetërore, në mënyrë që t’i shtohen shanset për punësim në të ardhmen.
Departamenti i Administratës Publike ka lançuar më 3 Korrik thirrjen për “Programin Kombëtar të Praktikave të Punës” dhe deri më 28 Korrik do të pranojë aplikimet e të interesuarve. Programi do të zgjasë tre muaj dhe DAP thekson se është pa pagesë.
Janë 18 Ministri, si edhe Kryeministria, së bashku me institucionet në varësi të cilat ofrojnë mundësi praktike. Secili nga këto institucione ka kërkesat e tij specifike për njohuritë që duhet të disponojnë të interesuarit.
Kushtet që aplikimi të quhet i vlefshëm janë:
- Aplikanti të jetë 21-26 vjeç;
- Të ketë mbaruar studimet e ciklit të parë Bachelor;
- Të ketë dosje të plotë aplikimi (formular aplikimi të plotësuar të gjitha të dhënave të kërkuara, CV dhe letër motivimi);
- Profili dhe fusha e studimit të përkojë me kërkesat e institucioni;
- Të aplikojë vetëm një herë dhe të zgjedhë institucionin ku dëshiron ta kryejë praktikën.
Pas mbylljes së aplikimeve, ato të vlefshmet do të shqyrtohen dhe në datën 4 Gusht do të bëhet njoftimi vetëm i fituesve, përmes postës elektronike.
Personat të cilët do të kryejnë këtë praktikë do të kenë përparësi në aplikimet në të ardhmen për pozicione pune brenda administratës, pasi kohëzgjatja e programit do të konsiderohet si përvojë pune.
Të interesuarit mund të informohen rreth programit duke klikuar këtu.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.