Pranë marrëveshjes SHBA-Kinë, Donald Trump: Ka progres. Steve Mnuchin: U arrit marrëveshja për valutën
Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi së fundmi se, po shikon progres në procesin e bisedimeve mes Washingtonit dhe Pekinit zyrtar sa i përket çështjes së tregtisë. Madje, ai shtoi se, ka gjasa që të shtyjë afatin e negociatave, përtej 1 Marsit.
Deklaratat e Donald Trump sinjalizojnë se dy ekonomitë më të mëdha në botë janë shumë pranë një marrëveshje mes tyre, që do t`i japë fund thuajse 7 muajve luftë tregtare të ashpër mes tyre, si dhe pasoja të panumërta në thuajse çdo cep të globit. Tarifat e lajmëruara për 200 miliardë dollarë mallra kinezë nuk do të vendoseshin në rast se do të arrihej marrëveshja mes dy vendeve.
Ndër të tjera, numri një i Shtëpisë së Bardhë deklaroi se, pret që shumë shpejt të takojë homologun e tij kinez, Xi Jinping, paçka se e la të hapur mundësinë e mos arritjes së një ujdie finale mes të dyve. Sekretari i Thesarit ndërkohë, Steve Mnuchin, deklaroi se dy vendet kanë përmbyllur një marrëveshje mjaft të rëndësishme sa i përket valutës. Kjo çështje ka marrë kritikat kryesore nga Donald Trump, pasi sipas tij, Kina e zhvlerëson qëllimisht monedhën për të avantazhuar eksportet e saj.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.