Premtojnë reforma në shëndetësi, ndërsa specialistët dhe specializantët me muaj janë pa paga
Një kategori e specializantëve mjekësorë të performancës që nga janari 2017 janë pa paga në Kosovë, ndërsa kategoria tjetër që nga marsi. Në anën tjetër, politikanët në fushatë po premtojnë reforma të thella në sektorin e shëndetësisë.
Jehona Ukshini-Selimi, specializante e vitit të katërt në Repartin e Kirurgjisë Plastike Estetike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, nga janari i këtij viti nuk ka marrë pagë nga Ministria e Shëndetësisë e Kosovës, ndonëse me këtë të fundit tashmë i posedojnë edhe kontratat e nënshkruara.
Ajo thotë për “Zërin” se gjatë vitit të kaluar, prejse është vendosur të hyjnë në listë të pagave nga Ministria e Shëndetësisë, specializantët i kanë marrë pagat vetëm për tre muaj (tetor, nëntor, dhjetor 2016), ndërsa gjatë këtij viti nuk e kanë marrë asnjë pagë.
Ukshini-Selimi, e cila hyn në kategorinë B,C të specializantëve të performancës, sqaron se këto kategori e kanë marrë specializimin nga institucionet private apo ato komunale dhe kur është vendosur nga Ministria që t’u ofrohet pagesa e shkollimit u është kërkuar që të heqin dorë nga pagat të cilat i kanë marrë nga institucionet e tilla.
“Tashmë kemi mbetur pa pagat që i kemi marrë në institucionet private pasi kështu na është kërkuar, ndërsa Ministria nuk i përmbush obligimet e veta kontraktuale”, shprehet Ukshini-Selimi.
Në këto ditë të fushatës zgjedhore politikanët kanë bërë premtime të llojllojshme për reformën ne shëndetësi, gjithçka ngelet për t’u parë me krijimin e qeverisë së re.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.