Prenotim online i vizitave – Procedura e re për të marrë shërbimin nga mjekët specializantë
Qytetarët që kanë nevojë të vizitohen tek mjekët specializantë mund ta prenotojnë vizitën online. Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale ka bërë me dije se sistemi i ri elektronik i jep fund një kalvari të gjatë ecejakesh që duhet të kalonin më parë qytetarët për të marrë shërbimin, duke pritur në radhë të gjata dhe me procedura burokratike nga një zyrë në tjetër.
Kështu, aktualisht çdo qytetarë duhet të drejtohet pranë mjekut të familjes, ku merr rekomandimin përkatës, një kod personal dhe prenoton orarin e vizitës on line tek mjeku specialist.
Deri më tani, pjesa e orareve nuk ka funksionuar. Qytetarëve u duhej që të merrnin rekomandimin tek mjeku i familjes e më pas të prisnin në radhë, ndoshta dhe për orë të tëra për të bërë vizitën.
Ministria e Shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale ka theksuar se risia e fundit në shërbimin parësor mundëson shmangien e ecejakeve të shtuara të pacientëve nga sistemi parësor në sistemin sekondar sipas nevojës së tyre.
Referimi elektronik aktualisht funksion vetëm në Kryeqytet dhe brenda 2018-ës pritet të shtrihet në të gjithë Shqipërinë.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.