Presidenca e Bullgarisë në Këshillin Europian pas një muaji – Çfarë do të thotë kjo për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor?

Sipas rotacionit çdo 6 muaj të presidencës së Këshillit të Bashkimit Europian, detyra do t’i kalojë Bullgarisë duke nisur nga data 1 Janar 2018. Zyrtarët e shtetit kanë bërë me dije se kryesimi do të fokusohet në zhvillimin e infrastrukturës, sektorit të energjisë dhe projekteve të tjera, në mënyrë që të ndihmojë të afrojë më tej vendet e Ballkanit Perëndimor me bllokun e unionit.
Dëshira e madhe për zgjerim, e theksuar edhe nga komisioneri Johannes Hahn, vjen edhe si një përgjigje ndaj daljes së Britanisë së Madhe nga BE, por për ministren bullgare të Presidencës së BE bëhet fjalë për çështje stabiliteti, sigurie dhe paqeje.
“Paqja, stabiliteti dhe e ardhmja e Europës kalojnë përmes Ballkanit Perëndimor. Projekti europian nuk do të jetë i plotësuar pa to”, tha Liliana Pavlova gjatë një interviste me Reuters.
Sipas saj, integrimi natyral është një proces që është zbehur disi për këto vende, por duhet të vazhdojë. Megjithatë ajo shprehet se Bullgaria nuk mund të premtojë një aderim të përshpejtuar për fqinjët e Ballkanit.
“Natyrisht që nuk duam t’u japim shpresa të rreme. Por nëse i mbështesim me projekte, investime, atëherë ata do të ndihen pjesë e familjes europiane. Kjo është në fakt perspektiva europiane për të cilën flasim”, tha ministrja bullgare.
Mbështetja e BE do të nxisë fusha si transporti, energjia dhe lidhjet dixhitale ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe unionit. Sofja do të kërkojë gjithashtu më shumë fonde për autostrada, hekurudha dhe infrastrukturë energjetike, duke kërkuar financime nga blloku, por edhe Banka Botërore, Banka Europiane e Investimeve dhe BERZH.
Një pikë tjetër, që do të trajtohet nga presidenca bullgare, ka të bëjë edhe me tarifat roaming, duke u përpjekur t’i reduktojë edhe për Ballkanin Perëndimor, siç u ulën për qytetarët europianë këtë vit, deri në heqjen përfundimtare të tyre.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.