Presidenti francez Emmanuel Macron shpall kandidaturën për rizgjedhje!
Presidenti francez Emmanuel Macron ka konfirmuar ofertën e tij për rizgjedhje me një “letër drejtuar francezëve” të enjten në mbrëmje.
Në letrën e tij prej 1000 fjalësh të botuar në faqet e internetit të shtypit ditor rajonal, Macron shkroi se “ne po përjetojmë trazira me shpejtësi të paparë: kërcënime për demokracitë tona, pabarazi në rritje, ndryshime klimatike, tranzicioni demografik, transformime teknologjike. Le të mos gabojmë: Ne nuk do t’u përgjigjemi këtyre sfidave duke zgjedhur të tërhiqemi apo duke kultivuar nostalgji, do t’ia dalim duke e parë të tashmen me përulësi dhe kthjelltësi, duke mos hequr dorë nga guximi, vullneti dhe shija jonë për të ardhmen. Sfida është të ndërtojmë Francën e fëmijëve tanë, jo të ripërsëritim Francën e fëmijërisë sonë.”
“Kjo është arsyeja pse unë kërkoj besimin tuaj për një mandat të ri si President i Republikës. Unë jam kandidat për të shpikur, me ju, një përgjigje unike franceze dhe europiane ndaj sfidave të shekullit. Unë jam kandidat për të mbrojtur vlerat tona, të cilat kërcënohen nga trazirat e botës. Unë jam kandidat që të vazhdoj të përgatis të ardhmen e fëmijëve dhe nipërve tanë. Për të na mundësuar sot dhe nesër të vendosim vetë”, shtoi ai.
Kreu i shtetit, aktualisht i mobilizuar nga lufta në Ukrainë, priti deri në momentin e fundit për të zyrtarizuar kandidaturën e tij për një mandat të dytë, të cilin kandidatët duhet ta zyrtarizojnë para mbrëmjes të së premtes.
Me 38 ditë para raundit të parë, Macron u bë kështu zyrtarisht kandidat për president dhe do të jetë në gjendje të nisë një fushatë të ndërprerë nga pushtimi rus i Ukrainës.
Macron është kandidati i fundit që deklaroi dhe vendimi i tij për të pritur u kritikua ashpër nga rivalët e tij, të cilët e akuzuan atë për fushatë të fshehtë përmes rolit të tij dhe si rrjedhim nuk iu përmbahej rregullave të fushatës. EN
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.