Presidenti i BE, Donald Tusk: ‘Brexit ka ‘vaksinuar’ vendet e tjera të BE kundër euroskepticizmit’
Presidenti i Bashkimit Europian, Donald Tusk, ka folur për rezultatet e zgjedhjeve në BE. Ai ka vënë në dukje faktin sesi Brexit kishte siguruar dështimin e partive anti-BE në garën e javës së kaluar.
“Nuk kam asnjë dyshim se një nga arsyet pse njerëzit votuan për një shumicë pro-europiane është gjithashtu Brexit”, u tha gazetarëve Tusk në një konferencë shtypi.
“Ndërsa europianët shohin se çfarë do të thotë Brexit në praktikë, ata gjithashtu nxjerrin përfundime. Brexit ka qenë një vaksinë kundër propagandës anti-BE dhe lajmeve të rreme’’– ka theksuar ai.
Tusk, i cili ishte duke folur pas një samiti të BE në Bruksel, i ndjekur nga 28 presidentët dhe kryeministrat e bllokut, shtoi se shumë parti euroskeptike kishin braktisur sloganet anti-BE dhe e prezantuan veten si “reformatorë”. Por partitë anti-BE, populiste dhe të ekstremit të djathtë u zbutën pavarësisht pritshmërive në zgjedhjet e Bashkimit Europian javën e kaluar, pasi pjesëmarrja e votuesve në kontinent u rrit në nivelin më të lartë në dekada, pra mbi 50 për qind.
Presidenti i Këshillit Europian tha:
“Unë mendoj se apeli im është ende i vlefshëm. Unë nuk kam asgjë për të shtuar në fjalët e mia, sepse unë nuk kam asnjë informacion të ri. Roli ynë sot është të presim për disa zgjidhje të reja.’’
Sondazhet në të gjithë Bashkimin Europian tregojnë mbështetje në lidhje me braktisjen e bllokut, për të regjistruar nivele të ulëta në shumicën e shteteve anëtare që prej Brexit. Parashikimet se, euroskeptikët dhe populistët do të merrnin një të tretën e vendeve në parlamentin europian, në zgjedhjet e javës së kaluar, gjithashtu, përfunduan duke qenë shumë larg qëllimit të tyre.
Elefteria Zguri/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.