Presidenti i Italisë ‘godet’ Boris Johnson për deklaratën e tij ndaj COVID-19
Presidenti i Italisë ka reaguar ndaj Boris Johnson pasi ai sugjeroi që MB kishte norma më të larta të infeksionit nga koronavirusi, sepse ishte një vend më “liridashës”. Në parlament këtë javë, kryeministri u pyet se pse Gjermania dhe Italia duket se kishin norma më të ulëta të COVID-19 sesa Britania.
Johnson kundërshtoi një pretendim se suksesi relativ i skemave të provave dhe gjurmimit të vendeve të ndryshme ishte një faktor. Dhe Kryeministri shtoi se ekzistonte “një ndryshim i rëndësishëm midis vendit tonë dhe shumë vendeve të tjera në botë: vendi ynë është një vend liridashës”.
“Nëse shikojmë historinë e këtij vendi gjatë 300 viteve të fundit, pothuajse çdo përparim, nga fjala e lirë te demokracia, ka ardhur nga ky vend,” vazhdoi ai. “Është shumë e vështirë t’i kërkosh popullsisë britanike në mënyrë uniforme t’i bindet udhëzimeve në mënyrën që është e nevojshme.”
I pyetur në lidhje me komentet e Johnson, Presidenti italian Sergio Mattarella tha të enjten: “Ne italianët gjithashtu e duam lirinë, por ne gjithashtu kujdesemi për seriozitetin”.
Agjencia e lajmeve Reuters njoftoi se Mattarella u pyet për Johnson gjatë një bisede private, por fjalët e tij u raportuan me shpejtësi në mediat lokale dhe zyra e tij konfirmoi vërejtjet.
Sipas një vlerësimi nga Universiteti Johns Hopkins, MB ka qenë vendi më i prekur në Europë nga COVID-19 për sa i përket vdekjes, përpara Italisë, Francës dhe më pas Spanjës. Gjermania ka pësuar më pak se një të katërtën e numrit të vdekjeve që ka MB, sipas vlerësimit.
Nuk është hera e parë që komentet e Johnson nxisin një përgjigje nga një politikan italian. Në 2016, Johnson – sekretar i atëhershëm i jashtëm – u akuzua për “fyerje” të qeverisë së vendit duke pretenduar se Italia duhet të mbështeste një marrëveshje bujare tregtare pas Brexit në mënyrë që të parandalonte një rënie në eksportet e saj të prosecco-s.
E fejuara e Kryeministrit, Carrie Symonds, u fotografua këtë javë në Liqenin Como, në veri të Italisë, me faqen e internetit Daily Mail që raportonte se ajo kishte kaluar disa ditë me foshnjën e çiftit, WIlfred dhe miqtë. Downing Street së fundmi dënoi pretendimet “plotësisht të pavërteta” se Johnson udhëtoi nëpër aeroportin e Perugia në një udhëtim të fshehtë këtë muaj.
Dhe presidenti i aeroportit tha të hënën se kishte pasur një “gabim” në një deklaratë të mëparshme dhe se Johnson nuk kishte qenë kohët e fundit atje.(Reuters)
E . S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.