Presidenti i Polonisë / “Thirrje BE-së të hapë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”
Në fjalën e tij gjatë punimeve të samitit të Poznanit, Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, ia ka bërë thirrje Bashkimit Europian që të hapë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, pasi sipas tij, Ballkani është pjesë integrale e Europës.
“Ballkani është, pikë së pari, një pjesë integrale e Europës, si gjeografikisht, ashtu edhe kulturalisht dhe historikisht. Pa integrimin e plotë të Ballkanit, Europa nuk do të jetë në gjendje kurrë të marrë frymë thellë. Theksoj se Polonia është një vend që mbështet politikën e zgjerimit të Bashkimit Europian, sepse mbështet Europën e hapjes dhe solidaritetit, jo Europën e paragjykimeve të ndërsjellta, e të mbylljes nga interesa dhe frika të veçanta. Si pjesë e komunitetit europian, ne jemi të detyruar të caktojmë një datë të qartë për integrimin. Polonia nuk do të pranojë që vendet e rajonit të përfshihen në një vrapim, pa një vijë finishi në horizont. Besoj se qëllimi që ky rajon ka, i njëjti qëllim që ka e gjithë BE-ja është: së pari, pasuria ekonomike, së dyti, rritja e cilësisë dhe forcimi i institucioneve shtetërore dhe, së treti, zhvillimi i sigurisë së qëndrueshme në këtë pjesë të Europës”- tha Andrzej Duda, President i Polonisë.
Gjithashtu edhe kryeministri, Edi Rama, ka folur për gazetarët menjëherë pas përfundimit të samitit. Në fjalën e tij, Rama tha se, ky ishte një samit i suksesshëm dhe arritjen e procesit të Berlinit po konsolidohen vit pas viti.
Gjatë këtij samiti, kryeministri Edi Rama zhvilloi bisedime edhe me kancaleren gjermane, Angela Merkel dhe me kryeministrin e Francës, Edouard Philippe.
Lidion Kulla / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.