Presidenti i Republikës shpall datën e zgjedhjeve parlamentare / Në 25 prill shqiptarët i drejtohen kutive të votimit

Sipas njoftimit zyrtar nga zyra e Presidencës, Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka dekretuar sot datën e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021. Në dekretin është vendosur data 25 prill, si dita kur shqiptarët do të duhet t’i drejtohen kutive të votimit për zgjedhjen e qeverisë së re.
Këtë vendim, Kreu i Shtetit e ndërmori pas konsultimeve me krerët e partive politike të zhvilluara më 4 shtator në Presidencë. Për opozitën data 18 prill ishte data më e përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare. Sipas burimeve zyrtare, maxhoraca ishte e gatshme të shkonte në zgjedhje në çdo datë që do të përcaktojë Presidenti i Republikës, me përjashtim të 2 majit e cila përkon me festën e Pashkëve ortodokse.
DEKRET I PLOTË
PËR CAKTIMIN E DATËS SË ZGJEDHJEVE PËR KUVENDIN
Në mbështetje të nenit 65, pikat 1 dhe 2, 92 shkronja “gj” dhe 93 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe të nenit 8, 9, pikat 1 dhe 4 të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, si dhe pas konsultimit me partitë politike mbi caktimin e datës së zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë,
Dekretoj:
Neni 1
Zgjedhjet për Kuvendin të zhvillohen ditën e diel, më datë 25 prill 2021.
Neni 2
Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.
Nr. Dekreti 11700
Tiranë, më 06.09.2020
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.