Presidenti i SHBA, Trump vizitë në Izrael: Të punojmë së bashku për një të ardhme të sigurt

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka mbërritur sot në Izrael për një vizitë dyditore. Pas mbërritjes, ndër komentet e para që bëri Trump ishte se ekziston një “mundësi e rrallë” për të sjellë paqe në Lindjen e Mesme.
Duke folur në aeroportin e Tel Avivit, Trump tha se dëshiron “të riafirmojë lidhjen e palëkundshme” midis Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit.
“Duhet të punojmë bashkë për të ndërtuar një të ardhme, në të cilën vendet e rajonit të jetojnë në paqe”, tha Trump.
“Përpara nesh kemi një mundësi të rrallë për t’i sjellë siguri, qëndrueshmëri dhe paqe këtij rajoni dhe popullit të tij, duke luftuar terrorizmin dhe duke krijuar harmoni dhe prosperitet. Këto mund t’i arrijmë vetëm duke punuar së bashku”, shtoi Trump.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, falënderoi Presidentin Trump për siç tha, “shprehje të fuqishme të mbështetjes për Izraelin”.
“Jam i bindur se nën udhëheqjen tuaj, aleanca midis Izraelit dhe SHBA-së do të bëhet edhe më e madhe, edhe më e fuqishme”, tha Netanyahu.
Trump është në udhëtimin e parë jashtë vendit qëkur është zgjedhur president i SHBA-ve. Gjatë kësaj jave, ai do të ndalojë në Bruksel, Vatikan dhe në Sicili.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.