Presidenti i zgjedhur Meta merr detyrën më 24 Korrik – Ceremonia e parashikuar nga protokolli
Presidenti i zgjedhur Ilir Meta do të marrë zyrtarisht detyrën jo më herët se data 24 Korrik 2017, kur i mbaron mandati Presidentit në detyrë Bujar Nishani.
Deri atëherë, Meta duhet të japë dorëheqjen si kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe heqë dorë nga çdo funksion në parti, sipas përcaktimeve të Kushtetutës.
Më 24 Korrik, Presidenti do të betohet para Kuvendit.
“Betohem se do t’i bindem Kushtetutës dhe ligjeve të vendit, do të respektoj të drejtat dhe liritë e shtetasve, do të mbroj pavarësinë e Republikës së Shqipërisë dhe do t’i shërbej interesit të përgjithshëm dhe përparimit të Popullit Shqiptar”.
Menjëherë pas këtij betimi do të bëhet ekzekutimi i Himnit Kombëtar dhe Presidenti i ri do të mbajë një fjalim para Kuvendit dhe të ftuarve nga Trupi Diplomatik, institucionet shtetërore, familja dhe të ftuarve të tjerë.
Më pas do të organizohet ceremonia në presidencë, ku Nishani do t’i dorëzojë zyrtarisht detyrën Ilir Metës. Presidenti i ri dhe Presidenti që lë detyrën do të zhvillojnë një takim formal kokë më kokë, e pas takimit dy Presidentët do të qëndrojnë në krye të shkallëve të Presidencës, të shoqëruar nga Drejtori i Protokollit të Shtetit.
Banda e Ushtrisë do të ekzekutojë himnin kombëtar, që do të pasohet nga 21 të shtëna topi me 30 sekonda interval nga njëra-tjetra.
Truproja e Nderit do të parakalojë para Presidentit Meta dhe Kryetari i Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja do t’i dorëzojë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, ashtu siç bëri me Presidentin Nishani.
Në 2007, ceremonia u zhvilluar në oborrin e presidencës dhe jo në Pallatin e Brigadave. Edhe për ceremoninë e inaugurimit të Presidentit Meta, mendohet se do të përsëritet ky ndryshim.
Pas njohjes zyrtare si President, Meta do të mbajë një fjalim përpara të ftuarve të nderit. Menjëherë pas fjalimit, Nishani së bashku me bashkëshorten, zonjën e parë do të shoqërohen nga motorkada ceremoniale larg Presidencës.
Gjatë kësaj kohe, Presidenti Meta, Zonja e Parë Monika Kryemadhi dhe pjesa tjetër e familjes do të pozojnë para Presidencës, para se të lëvizin drejt sallës ku do të mbahet pritja me rastin e marrjes së detyrës.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.