Presidenti Meta dekreton emërimin e Arben Ahmetaj si ministër Shteti për Rindërtimin
Pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit qeveria ndër masat e para që mori në mbledhjen e Këshillit të Ministrave ishte edhe krijimi i Komitetit Kombëtar të Rindërtimit, operacionet e së cilës do t’i kryesonte ish-ministri i Financave Arben Ahmetaj.
Në ditën e sotme, kryeministri nëpërmjet një postimi në Twitter është shprehur se:
“Programi i Rindërtimit dikton hapjen e një vendi të posaçëm edhe në tryezën e Këshillit të Ministrave,ku një ministër i ngarkuar ekskluzivisht me koordinimin e të gjitha institucioneve vendase e ndërkombëtare që lidhen me këtë program, të ndjekë orë e minutë zbatimin e Programit”, shkruan Rama.
Në këtë mënyrë kreu i ekzekutivit ka nisur propozimin drejt Presidentit të Republikës, z.Ilir Meta, i cili nuk ka vonuar me përgjigjen duke dekretuar emërimin, i cili hyn në fuqi nga dita e sotme.
Ministria e Rindërtimit tashmë do të koordinojë punën e të gjithë mekanizmave të angazhuara për rimëkëmbjen e ndërtesave që u shembën pas tërmetit. Veç fondeve të shtetit, donacioneve të OJF-ve, një mbështetje e madhe ka ardhur edhe nga faktori ndërkombëtar.
Geri Kolgega / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.