Presidenti Meta kthen ligjin “Për Prokurorimin Publik”: Cënon konkurrencën e lirë dhe nuk garanton transparencë
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta ka kthyer ligjin ”Për Prokurimin Publik”. Sipas argumentit të Metës, ky ligj cenon konkurrencën e lirë, favorizon kompanitë e lidhura me pushtetin dhe shpërdorimin publik.
Meta rekomandon që Kuvendi i Shqipërisë të rishqyrtojë ligjin dhe të mbajë në vëmendje nevojën për përcaktimin e rregullave të qarta, transparente në procedura që lidhen pikërisht me prokurimin me fonde publike.
Sipas tij respektimi i këtyre rregullave do të garantojë efektivitet, efiçiencë dhe mirëpërdorim të këtyre fondeve.
Në fund Presidenti Meta del në përfundimin se ligji i miratuar nga Kuvendi bie ndesh me parimet e Kushtetutës:
”Duke vlerësuar se ky ligj bie ndesh me parimet e mbrojtura nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, duke krijuar pabarazi në trajtimin e operatorëve ekonomikë, diskriminim të tyre, dhe duke i penguar të ushtrojnë të drejtën për liri të veprimtarisë ekonomike, edhe në raport me mundësinë e hyrjes në marrëdhënie kontraktuale me autoritetet kontraktore, krijon mundësi për shpërdorim të fondeve publike.
Deformimi i konkurrencës shkakton pasoja direkte në cilësinë e mallit/shërbimit të prokuruar, që ka impakt direkt dhe kosto financiare, duke ulur transparencën e administrimit të fondeve publike.”
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.