Presidenti “problematik”: “Kush shkel karantinën të qëllohet me armë”! Por forcat e sigurisë refuzojnë zbatimin e urdhërit
Agjencia e Lajmeve ANSA raporton se presidenti i Filipineve Rodrigo Duterte ka urdhëruar forcat e sigurisë që të qëllojnë “për vdekje” këdo që shkakton probleme në zonat e mbyllura për shkak të pandemisë së coronavirusit. Por shefi i policisë Archie Gamboa ka refuzuar të zbatojë këtë urdhër duke u shprehur se agjentët nuk do ta bëjnë këtë gjë.
Rreth gjysma e 110 milionë personave të vendit është aktualisht në karantinë, përfshirë miliona në situatë varfërie të thellë, të lënë pa punë si rrjedhojë e kushteve të forta shtrënguese për lëvizjen.
“Urdhërat e mi janë për ushtrinë dhe policinë, përfshirë funksionarët e fshatrave, që nëse konstatohen probleme ose lind nevoja në të cilën personat luftojnë dhe jeta juaj është në rrezik, qëlloni e vrisni” është shprehur Duterte në një deklaratë. “Më mirë sesa të shkaktosh probleme, të çojmë ne në varr” ka vijuar ai.
“Mbase presidenti i ka dhënë shumë rëndësi zbatimit të ligjit në këto momente krize” është shprehur shefi i policisë. Deri më tani në Filipine janë konfirmuar 2 mijë e 311 raste me koronavirus dhe janë shënuar 96 viktima. Vendi sapo ka nisur të intestifikojë testimet në popullatë dhe kështu parashikohet që numri i personave të konfirmuar të rritet edhe më tej .
Presidenti i Filipineve është i njohur për deklarata të kësaj natyre dhe jo pak herë ka shkaktuar polemika në opinionin publik.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.