Prezantohen uniformat e reja të Kombëtares – Dizajni simbolizon flamurin dhe shqiponjën

Federata Shqiptare e Futbollit ka prezantuar sot uniformat e reja të përfaqësueses shqiptare. Uniformat janë sërish një bashkëpunim me Macron. Bashkëpunimi me këtë kompani sportive nisi para një viti, me përfaqësimin në Kampionatin Europian, ku Shqipëria u bë kombëtarja e parë e sponsorizuar nga kjo kompani.
Roberto Casolari, përfaqësus i Macron u shpreh se uniformat e reja u krijuan sëbashku me FSH, sipas traditës së kësaj kompanie.
Bluza që do të përdoret në shtëpi është një homazh për ngjyrat e flamurit, ku mbizotëron e kuqja, ndërsa jaka dhe fundet e mëngëve janë të zeza. Ajo që bie në sy janë rombet e sfumuara të cilat përfaqësojnë pendët e shqiponjës.
Ndërsa në pjesën e brendshme të jakës shkruhet “Ti Shqipëri më jep nder”.
Edhe bluza e dytë dhe e tretë mbajnë të njëjtin dizajn. Ato janë në ngjyrë të zezë dhe të bardhë. I vetmi ndryshim është se në bluzën e zezë, logoja e federatës është e kuqe.
Uniforma e portierëve, e cila u prezantua nga portieri i Kombëtares dhe Partizanit Alban Hoxha, ishte në ngjyrë jeshile me logon e kuqe të Federatës së Futbollit.
Uniforma e re do ta bëjë debutimin zyrtar në ndeshjen kundër Italisë, në 24 mars, në stadiumin “Barbera” në Palermo, ku kombëtarja jonë do të përpiqet të shkurtojë distancën në grup.
Aktualisht Spanja dhe Italia mbajnë kreun e grupit, ndërsa Shqipëria është e katërta me 6 pikë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.