Prezantohet portali për infermierët, 416 vende vakante – Manastirliu: Eliminojmë punësimin prej mikut

Ditën e mërkurë u bë prezantimi publik i portalit të punësimit për infermierët, “Infermierë për Shqipërinë”. Ky portal do të mundësojë aplikimin për vendet e lira të punës për infermierë, mami, teknikë imazherie dhe fizioterapistë, logoped.
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, u shpreh se qëllimi kryesor i ngritjes së këtij sistemi është garantimi i përzgjedhjes sipas meritës dhe cilësisë në shërbim.
“Ne kemi detyrim të krijojmë një terren të njëjtë për të gjithë, të japim shanse të barabarta dhe të krijojmë drejtësi në punësim. Aplikoni dhe vini veten në provë. Ne ju garantojmë që do të zgjidhen më të aftët.
Platforma do të ndryshojë mënyrën se si bëhet punësimi i infermierëve dhe profesionistëve. Për ne është një reformë që garanton cilësi në shërbime, transparencë, eliminon punësimin prej mikut dhe i jep fund emërimeve pa plotësuar asnjë kriter”, tha Manastirliu.
I pranishëm në ceremoni, Kryeministri Edi Rama, u shpreh se do të përsëritet i njëjti sukses i arritur në punësimin e mësuesve, ndërsa garantoi për infermierët se nuk do të bëhen më subjekt i lëvizjeve politike.
“Askush asnjëherë nuk do guxojë më ta lëvizë nga vendi i punës për arsye politike. E çojmë këtë pjesë të tepsisë politike për skrap”, tha Rama.
Në momentin e hapjes, portali numëronte 416 vende të lira pune, nga ku 310 janë pozicione vakante për infermierë. Aplikimi do të kryhet në bazë qarku, ndërsa kandidatët do të njoftohen hap pas hapi për statusin e aplikimit të tyre dhe mbi vendin e datën e testimit të njohurive.
A.H./SCAN
Mjekët specialistë në rrethe – Rama: 2.5 milionë lekë shtesë në rrogë. Të mund të kenë një fitim real
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.