Prezantohet projekt-buxheti- Greqi, fuqizimi i ekonomisë do të mundësojë arritjen e objektivave
Rimëkëmbja ekonomike e Greqisë pritet të rifitojë vrull vitin që vjen, që përkon me daljen nga programi i tretë i shpëtimit. Sipas projekt-buxhetit, rritja e fortë ekonomike do të ndihmojë në arritjen e objektivave për suficitin primar të vendit dhe reduktimin e papunësisë.
Greqia sapo ka dalë nga recesioni i tejzgjatur, që goditi rëndë ekonominë dhe rriti normën e papunësisë në thuajse 28%. Ky është edhe buxheti i fundit nën programet e shpëtimit. Qeveria e majtë pret që rritja ekonomike të përshpejtohet në 2.4% vitin që vjen, nga 1.8%, që janë projeksionet për vitin aktual.
Norma e papunësisë pritet të bjerë në 19% nga 21.1% që ishte në tremujorin e dytë. Athina synon të arrijë një suficit primar prej 3.57% në raport me Produktin e Brendshëm Bruto, duke përjashtuar shërbimet e borxhit, nivel që është sipër objektivit të kërkuar nga kreditorët. Bazuar te buxheti i ri, Qeveria pret të tejkalojë objektivin e këtij viti të suficitit primar prej 1.75%, duke bërë të ditur se projekton ta mbyllë vitin me një normë prej 2.2%.
Qeveria greke kërkon gjithashtu të rifitojë akses në tregun ndërkombëtar të borxhit në Gushtin që vjen, kur të mbarojë programi i tretë i shpëtimit, i nënshkruar në mesin e 2015-ës. Projekt-buxheti, që do të shqyrtohet nga huadhënësit e Greqisë më vonë gjatë muajit kur të nisë rishikimi i programit të tyre, projekton që borxhi do të arrijë në 175.6% në raport me PBB.
Sipas projekt-buxhetit të përgatitur nga Ministri i Financave Euclid Tsakalotos, masat e lehtësimit të borxhit që pritet të detajohen në takimin e ardhshëm me kreditorët, do të jenë thelbësore në lehtësimin e barrës së borxhit për vendin.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.