Prezantohet sistemi i ri i unifikuar për pagat e administratës! Harito dhe Mete: Proces i rëndësishëm për financat e buxhetin

Të gjitha institucionet e administratës publike do të kenë një listëpagesë të unifikuar e kjo në saj të lidhjes në sistem të tyre, çka mundëson një format për pagat e punonjësve. Në ceremoninë e prezantimit të sistemit të ri të unifikuar për gjenerimin e pagës së nëpunësve të administratës publike, i ndërtuar nga Departamenti i Administratës Publike, ishin ministrja e Inovacionit Milena Harito dhe zëvëndësministri i Financave Ervin Mete.
Numri dy i ministrisë së Financave evidentoi se ky projekt i ri vjen në kuadër të mirëmanaxhimit financiar dhe do të bëjë të mundur ndryshimin e sistemit të trashëguar duke u fokusuar në rritjen e kapaciteteve njerëzore në administratën publike .
Ndërsa ministrja e Inovacionit dhe administratës Publike Milena Harito, në fjalën e saj, evidentoi se sistemi i ri i unifikimit të listëpagesave do të jetë një proces i rëndësishëm edhe për buxhetin e shtetit. Në vijim të fjalës së saj, Harito evidentoi se reforma ne administratën publike është një ndër 5 prioritetet e integrimit dhe se administrata publike është jetike për zhvillimin e vendit e për procesin integrues.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.