Prindërit e fëmijëve të suksesshëm kanë këto 12 gjëra të përbashkëta

Prindërit e mirë duan që fëmijët e tyre t’u qëndrojnë larg telasheve, të dalin mirë në shkollë dhe të bëhen dikush në jetë kur të rriten.
Për momentin nuk ka një recetë për të rritur fëmijë të suksesshëm, por studimet psikologjike kanë zbuluar disa faktorë të cilët parashikojnë suksesin.
Ndikim shumë të madh kanë padyshim prindërit. Ja cilat janë të përbashkëtat e prindërve të fëmijëve të suksesshëm.
- Ata i detyrojnë fëmijët të bëjnë punët e shtëpisë
“Nëse fëmijët nuk lajnë pjatat, do të thotë se dikush tjetër i lan për ta. Kështu fëmijët nuk ndihen të detyruar të punojnë. Por të mësuarit se punët duhen bërë dhe secili duhet të japë kontributin e tij, i bën fëmijët punëtorë”, thotë studimi jetësor më i gjatë që është kryer ndonjëherë.
Këta fëmijë bëhen punonjës të shkëlqyer dhe bashkëpunojnë shumë mirë me kolegët e tyre, si dhe janë empatikë pasi e dinë se çfarë është mundi.
- Ata u mësojnë fëmijëve të socializohen
Një tjetër studim i kryer tek mbi 700 fëmijë ka zbuluar se suksesi i tyre si të rritur lidhet drejtpërdrejt me aftësitë e tyre shoqërore në kopsht. Këta fëmijë ishin më të predispozuar për të mbaruar shkollën e lartë si dhe për të kuptuar ndjenjat e njerëzve të tjerë.
Ndërsa fëmijët që nuk ishin social në fëmijëri, kanë më tepër gjasa për t’u arrestuar, për të pirë, si dhe për të qenë të pastrehë.
- Pritshmëritë e tyre janë të larta
Prindërit të cilët duan një edukim të lartë për fëmijët e tyre ndikojnë tek fëmija për ta realizuar këtë qëllim, pavarësisht të ardhurave të familjes.
- Këta prindër kanë ndjekur arsimin e lartë
Sipas një studimi të kryer nga 1998 deri në 2007, fëmijët e lindur nga nëna të reja që nuk kanë mundur të mbarojnë gjimnazin apo shkollën e lartë, kanë më pak gjasa t’ia dalin mbanë në tregun e punës se sa të tjerët. Arsimi që ka nëna kur fëmija ishte 8 vjeç korrespondonte direkt me suksesin arsimor dhe profesional të fëmijës së tyre pas 40 vjetësh.
- Ata u mësojnë fëmijëve matematikën në moshë të re
Të kesh njohuri në matematikë në moshë të vogël, shndërrohet në një avantazh shumë të madh më vonë. Suksesi në matematikë si i vogël, ndikon jo vetëm në aftësitë e mëvonshme në matematikë, por edhe në lexim.
- Ata krijojnë marrëdhënie të mira me fëmijët e tyre
Fëmijët e 243 familjeve të varfra të cilët morën përkujdesje më të ndjeshme gjatë tre viteve të para të jetës, jo vetëm që performuan më mirë akademikisht në teste në fëmijëri, por gjithashtu kanë marrëdhënie më të shëndetshme si dhe rezultate shkollore të shkëlqyera në moshën 30 vjeçare.
- Ata janë më pak të stresuar
Stresi i nënave, sidomos kur vjen prej punës ose mosgjetjes së kohës për fëmijët ndikon shumë tek fëmijët. Ndjenjat ngjiten tek fëmijët njëlloj si gripi.
- Nënat punojnë jashtë shtëpisë
Të mirat e të punuarit larg shtëpisë janë të jashtëzakonshme. Vajzat e nënave që punojnë, rrinë më gjatë në shkollë, kanë më shumë shanse për të patur një punë të mirë si dhe të fitojnë më tepër para.
Ndërsa djemtë e këtyre nënave rrinë të paktën 25 minuta më shumë duke bërë detyrat, çka i bën edhe më të suksesshëm më vonë në jetë.
- Ata kanë një status socioekonomik më të lartë
Sa më të larta pagat e prindërve, aq më të larta janë pikët e provimit të maturës për fëmijët. Statusi i lartë social dhe ekonomik është ai që përmirëson performancën edukative.
- Ata u mësojnë fëmijëve durimin
Tendenca e prindërve për të mbajtur gjallë interesat e fëmijëve në një kohë të gjatë, i bën ata të imagjinojnë dhe t’i përkushtohen të ardhmes që duan të krijojnë.
- Ata u vënë fëmijëve emra të lehtë
Një studim për karrierën ka treguar që njerëzit me emra më të thjeshtë dhe të zakonshëm, me lehtësi në shqiptim, janë më të suksesshëm dhe kanë më shumë gjasa të merren në punë.
- Ata kuptojnë rëndësinë e ushqyerjes së shëndetshme
Të ngrënit në mënyrë të rregullt dhe të shëndetshme të ndihmon të jesh më i fokusuar dhe produktiv gjatë ditës. Gjithsesi krijimi i një rutine pozitive kërkon shumë mundim nga ana e prindërve.
Përshtati: Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.