Prishet tregu – Bashkia: Zgjidhje për tregtarët, formalizim dhe kushte
Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë aksionin për prishjen e tregut të rrobave të përdorura pranë Spitalit nr.5 në kryeqytet.
Kjo hapësirë prej vitesh ka funksionuar si një treg i paligjshëm dhe jashtë çdo standardi, duke mos plotësuar as kushtet më minimale të higjienës, dhe shpesh duke u bërë shqetësim për banorët e kësaj zone.
Bashkia e Tiranës, përmes një deklarate për media, ka sqaruar se tregtarët nuk do të nxirren në rrugë, por do t’u krijohen hapësira të përshtatshme për të ushtruar veprimtarinë e tyre.
Konkretisht, ky institucion thekson se “në kuadër të politikave zhvilluese për tregjet publike, por njëkohësisht duke respektuar të gjithë parametrat e funksionimit normal të tregjeve, kushtet e tregtimit dhe mbrojtjen e konsumatorit, Bashkia e Tiranës ka kryer gjatë vitit 2016 një studim për të formalizuar dhe rregulluar tregtimin e rrobave të përdorura, duke dhënë propozimet e mëposhtme:
Krijimin e 3 pikave të ndryshme në Tiranë për spostimin e tregtisë së rrobave të përdorura; Zonat janë a) Uzina Dinamo, b) Tregu në Kodër Kamëz, dhe c) ish Fonderia Mekanike”.
Sipas Bashkisë, kjo politikë synon formalizimin e tregtarëve informalë dhe lejon tregtimin e rrobave të përdoruara në kushte dhe mjedise të përshtatshme. Sipas studimeve të ISHP dhe AMK-së përbën një ngarkesë të madhe mikrobesh në mjedis.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.