Pritet “certifikimi” i buxhetit – Shkon në Kuvend buxheti faktik 2016

Në një kohë kur Ministria e Financave është në hapat e fundit për hartimin e buxhetit të vitit të ardhshëm dhe paketës fiskale që do ta shoqërojë atë, në Kuvend pritet të “certifikohet” buxheti faktik i vitit 2016.
Sipas relacionit, ky projektligj përmban të dhëna mbi të ardhurat dhe shpenzimet e buxhetit të shtetit (qeverisjes qendrore), të buxhetit vendor, të buxhetit të Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH), të buxhetit të Fondit Special të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) dhe të buxhetit të Agjencisë së Trajtimit të Pronave (AKKP).
Gjithashtu përmban të dhëna mbi deficitin e përgjithshëm të qeverisjes së përgjithshme dhe burimet e financimit të tij (të brendshme nga huamarrja e qeverisjes qendrore dhe vendore, privatizimi dhe të tjera; të jashtme, duke përfshirë edhe mbështetjen buxhetore).
Ky draft shoqërohet me:
- Raport për situatën makroekonomike dhe buxhetore për vitin 2016 , me anën e të cilit bëhet një analizë e detajuar e treguesve kryesorë makroekonomikë dhe e realizimit të treguesve buxhetorë për vitin 2016. Raporti përmban, gjithashtu, të dhëna statistikore, informacione dhe një bashkësi treguesish, të cilët janë në funksion të një gjykimi sa më racional, mbi rezultatet dhe treguesit kryesorë të buxhetit të qeverisjes së përgjithshme për vitin 2016;
- Një raport mbi borxhin shtetëror dhe operacionet e tjera të lidhura me borxhin dhe shërbimet e tij gjatë vitit 2016;
- Një raport mbi përdorimin e fondit rezervë dhe të kontingjencës së buxhetit të shtetit;
- Informacion për kontrollin e brendshëm financiar publik në njësitë e qeverisjes së përgjithshme.
Vjoleta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.