Pritet “Tirana approach” – BSH, plan të ri për kreditë me probleme

Banka e Shqipërisë do të hartojë këtë vit një paketë të re masash për uljen e kredive me probleme. Ne strategjinë afatmesme të zhvillimit për periudhën 2018-2020, Banka Qendrore bën të ditur se brenda këtij viti do të hartohet një paketë e re, e quajtur “Tirana Approach”.
Kjo paketë do të synojë një ulje të mëtejshme të kredive me probleme dhe do të vijë tre vjet pas planit të masave që nisi zbatimin në vitin 2015.
Paketa e tre viteve më parë ka dhënë gradualisht efekte pozitive në uljen e raportit të kredive me probleme, që në fund të vitit të kaluar zbriti në 14.3%, niveli më i ulët në shtatë vitet e fundit.
Përveç një pakete të re me qëllim uljen e kredive me probleme, Banka e Shqipërisë ka paralajmëruar një forcim të mbikëqyrjes ndaj subjekteve të licencuara për aktivitet në shërbime financiare. Sipas Bankës Qendrore, subjektet e licencuara dhe mbikëqyrura nga Banka e Shqipërisë duhet të jenë të përgatitura për një kuadër rregullativ me kërkesa më të rrepta e me detyrime të shtuara raportuese.
Dokumenti evidenton se aktorë të caktuar të sistemit financiar po përballen me dinamika jo të favorshme, duke rishikuar modelet e tyre të biznesit apo dhe praninë e tyre në Shqipëri.
Banka e Shqipërisë gjykon se ndryshimet e mundshme strukturore dhe konsolidimi i mëtejshëm i sektorit bankar, përmes bashkimeve apo përthithjeve, shtron nevojën për monitorim dhe përzgjedhje të kujdesshme mbikëqyrëse.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.