Privati “mund” publikun – Arsimi parauniversitar, kundër trendit të përgjithshëm, nxënësit në rritje
Ndërkohë që në rang republike, numri i nxënësve në shkollat 9-vjeçare ka rënë me rreth 63 mijë që prej vitit 2012 deri në vitin akademik 2016-2017, paradoksalisht, nxënësit në shkollat private janë rritur, çka flet qartë për një tendencë.
Shifrat tregojnë se, në vitin akademik 2012-2013 kishte 370.238 nxënës në arsimin 9-vjeçar publik, dhe 20599 në atë privat. Në vitin akademik 2016-2017, shifra ishte 305287 nxënës në arsimin publik dhe 22813 nxënës në atë privat.
Pra, ndërkohë që në rang republike, numri i nxënësve në këtë cikël ra me rreth 21%, gjatë së njëjtës periudhë kohore, nxënësit në arsimin privat u rritën me plot 10.1%. Tendenca është e njëjtë, si në ciklin e ulët të arsimit 9-vjeçar si në atë të lartë.
Jo e njëjta gjë mund të thuhet për shkollat e mesme. Në këtë cikël arsimi parauniversittar, rënia është më e theksuar në arsimin privat sesa në atë publik, 21% kundrejt 17% për atë publik.
Një tjetër e dhënë tregon se në qarkun e Kukësit nuk ekziston arsimi privat parauniversitar. Ky qark ka zero nxënës, si në arsimin 9-vjeçar ashtu dhe në atë të mesëm. Në Dibër ndërkohë, është inekzistent vetëm arsimi privat i mesëm.
Sa i përket qarqeve, Shkodra. Fieri dhe Vlora kanë përhapjen më të madhe të arsimit privat në raport me totalin e nxënësve, në këto tre qarqe, nxënësit në arsimin privat zënë 18% deri në 16% të totalit.
Pas Kukësit dhe Dibrës me zero, Gjirokastra dhe Elbasani kanë normën më të ulët të shpërndarjes së arsimit privat parauniversitar, në 1% dhe 3% respektivisht. Mesatarja në rang republike ndërkohë fiksohet në 7.3% për arsimin privat dhe 92.7% për atë publik. Në vitin 2013 kjo normë fiksohej në 5.5% kundrejt 94.5%.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.