Problem tregu vullnetar – Numri i kontratave të sigurimit janë rritur me 23.65%

Edhe pse tregu i sigurimeve në Shqipëri ka pësuar rritje në tremujorin e parë të 2017 krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë me 17.6%, problem mbetet tregu vullnetar i cili sipas përfaqësuesve të kompanive të sigurimit mbetet ende në stanjacion me një tendencë në rritje prej 2% për numër popullsie.
Primet e sigurimit vullnetar gjatë periudhës Janar–Mars 2017 kapën shifrën prej 1.373 milion lekësh. Sipas presidentit të një prej kompanive të sigurimit në vend Kadri Morina ky problem shmanget vetëm duke ndërhyrë përmes reformave
“Vazhdon të mbetet në stanjacion, jo në atë nivel që duhet, por as afër atij niveli nuk është. është shumë problematike në Shqipëri, pasi po të shohim vetëm fatkeqësinë që pësoi këto ditët e fundit nga natyra me ngricat, ku produktet bujqësore dolën pothuajse komplet jashtë prodhimit. Po të ishte një produkt që fermerët do ta kishin marrë sigurimin pranë kompanive të sigurimit, sot ata të paktën kostot e prodhimit, pse jo edhe gjithë prodhimin e tyre do ta kishin në xhepin e tyre. Kjo nuk vlen vetëm për produktet bujqësore, por edhe për sigurimin e pronave, bizneseve dhe aq më tepër tek sigurimi i përgjegjësive ndaj palëve të treta, që është tashmë i domosdoshëm. Do një reformë të thellë nga parlamenti shqiptar”, shprehet Kadri Morina.
Sa i takon numrit të kontratave të sigurimit të lidhura gjatë tre mujorit të parë të 2017-ës arriti në 275 020 me një rritje prej 23.65% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.