Problematikat e punës në zyrë
Të gjithë e kërkojnë të punojnë në zyrë duke menduar se është mjaft komode por hulumtues të ndryshëm kanë arritur në përfundimin se puna fizike është e lodhshme, por qëndrimi para kompjuterit për një kohë të gjatë është edhe më i rrezikshëm për shëndetin.
Përmes dy studimeve të ndryshme, ekspertët kanë evidentuar një sërë problemesh që krijohen nga orët e zgjatura të punës në zyrë.
Ata kanë treguar se dhimbjet që shfaqen janë nga ato më të zakonshmet, duke filluar nga dhimbjet e mesit dhe të syve, duke kaluar te ato më të rrezikshmet për jetën, si infarkti i miokardit.
Një studim i kryer nga Departamenti i Shkencave të Shëndetit dhe Shkencave Kardiovaskulare në universitetin “Leicester” të Britanisë së Madhe, ka treguar se femrat janë 88% më të rrezikuara nga infarkti në qoftë se punojnë gjithë ditën para kompjuterit, madje ekzistojnë mundësia që të zhvillojnë diabet të tipit 2.
Por përveç të ndenjurës ulur, studimi tregoi se në zyrë ekzistojnë edhe disa probleme të tjera të cilat janë të rrezikshme për shëndetin si:
Ushqimi
Qëndrimi me orë të tëra larg shtëpisë mbyllur në një zyrë është goxha i dëmshëm pasi të detyron të konsumosh ushqime të thata dhe me shumë si sufllaqe, patatina apo sanduiçë.
Kështu qëndrimi për një kohë të gjatë para ekranit pa lëvizur ndikon në grumbullimin e kalorive dhe të rritjes së sheqerit në gjak, gjë e cila mund të ketë pasoja të rënda.
Shëndeti i syve
Një tjetër problem i evidentuar është edhe shëndeti i syve. Sytë me kalimin e kohës gjatë qëndrimit të tepërt para ekranit fillojnë të dobësohen. Ndodh që sytë të fiksohen në një vend në një faqe ekrani dhe kjo ndikon negativisht në shëndetin e tyre.
Për këtë problem është këshilluar ngritja çdo gjysmë ore nga vendi i punës për një pushim të shkurtër. Sipas ekspertëve ky pushim ndihmon trupin dhe sytë që të çlodhen.
Stresi në zyrë
Përveç dy problemeve më lart të cilat kanë një ndikim negativ në fizikun e njeriut, stresi në zyrë ndikon negativisht në psikologjinë e njeriut.
Ekspertët kanë vënë re se mes dëmeve që lidhen me punën e zyrës është edhe rritja e nivelit të stresit.
Si pasojë ky faktor mund të konsiderohet burim infarkti për 88% të femrave, të cilat punojnë në një mjedis të vogël prej disa metra katrorësh.
Sipas Institutit Kombëtar Amerikan të Sëmundjeve Neurologjike, puna para kompjuterit është një prej shkaktarëve kryesor të sindromës së “tunelit karpal”, ose më saktë shtypjes së nervit median të kyçit të dorës. Edhe nga kjo anomali janë më të rrezikuara femrat sesa meshkujt.
V.Hydi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.