Problemet e biznesit Shqipëri-Kosovë, kërkohet eliminimi i barrierave dhe lehtësim procedurash
Edhe pse flasim një gjuhë, edhe pse jemi një komb, edhe pse synojmë të bëjmë politika rajonale të përbashkëta, kjo “frymë” nuk duket se po jep rezultat në fushën ekonomike. Prej vitesh biznesi shqiptar dhe ai kosovar ankohen për burokraci dhe barriera të ndryshme në marrëdhëniet mes tyre, apo më mirë të thuhet me institucionet e të dy vendeve. Shpesh herë përfaqësuesit e biznesit të dy vendeve janë shprehur publikisht që politikanët duhet të lënë mënjanë “folklorizmat patriotikë” dhe të fokusohen tek politikat e përbashkëta ekonomike.
Unifikimi i praktikave doganore, njohja e certifikatës së origjinës së produkteve, vulave të cilësisë, çmimeve të referencës në mbrojtje të konkurrencës në treg, si dhe njehsimi në fushën e akreditimit, standardizimit dhe metrologjisë, janë vetëm disa nga problematikat që has biznesi çdo ditë. Po të kthehemi pak në retrospektivë, vetëm tre vite më parë nisi një luftë e ftohtë tregtare mes autoriteteve të dy vendeve, duke bllokuar reciprokisht mallrat e ndryshme të bizneseve. Fillimisht autoritetet kosovare vendosën një taksë të lartë doganore për çimenton dhe pataten e prodhuar në Shqipëri.
Ndërsa, më pas, në tregun e Kosovës u bllokua një sasi e konsiderueshme e qumështit nga Shqipëria me arsyetimin së përmbante normë të lartë aflatoksine. Ndërkohë që qeveria shqiptare miratoi 3 vjet me parë në parim marrëveshjen kuadër, për bashkëpunimin në lehtësimin e tregtisë, bizneset e të dy vendeve përballeshin me procedura burokratike nga doganat respektive, duke shkaktuar një luftë të ftohtë tregtare mes dy vendeve.
Autoritetet kosovare përdorën një praktikë të re për të bllokuar eksportet shqiptare, duke goditur kryesisht automjetet transportuese të mallrave nga Shqipëria, që duhet të ndryshonin destinacionin e tyre nga distributorët apo konsumatorët, drejt terminaleve doganore private në qytetet e Ferizajt, Prishtinës dhe Prizrenit. Kjo procedurë e re rriti kostot e transportit për firmat shqiptare, si në vlerë monetare, ashtu edhe në kohë, duke mos dorëzuar mallrat në destinacionet finale. Masat e ndërmarra nga qeveria kosovare me qëllim rritjen e cilësisë së shërbimit, sollën demotivimin e bizneseve shqiptare, pasi në terminalet doganore nuk ka banka për të kryer veprime financiare dhe kostot e qëndrimit të kamionëve arrijnë në 40 euro dita.
Ndërkohë që dëmi i shkaktuar vetëm në sektorin e materialeve të ndërtimit në atë kohë u përllogarit se kapi shifrën e 800 mijë eurove në muaj. Ndërkohë, procedurat e njëjta doganore mes dy vendeve kanë qenë një kërkesë e kahershme e biznesit, çka do të rriste edhe shkëmbimet tregtare që janë ende në nivele minimale. Hapja e pikës së përbashkët doganore në Vërmicë, ishte vetëm hapi i parë i kësaj rruge.
Por problematikave të shumta që has biznesi shqiptar dhe ai kosovar në pikat doganore respektive duket se po u vjen fundi. Takime të shumta janë zhvilluar, premtime të mëdha janë bërë për këtë pjesë, ndërsa lehtësitë ndaj biznesit janë të prekshme në nivele modeste. Sistemi i Përbashkët i Transitit, i finalizuar në dhjetor 2016, përmes ndërlidhjes automatike të sistemeve elektronike, u mundëson tashmë bizneseve nisjen e një procedure transiti në territorin e Shqipërisë apo të Kosovës dhe mbylljen e tij në vendin tjetër, duke shmangur kontrollet e panevojshme kufitare dhe reduktuar ndjeshëm kohën dhe kostot për sipërmarrjen. Nëse procedura më parë zgjaste me ditë, tani është reduktuar në vetëm 10 minuta”.
Ndërkohë një problem tjetër shumë prezent është njehsimi i certifikatave ndërmjet dy vendeve, si një çështje që duhet avancuar në kuadër të marrëveshjes mes dy vendeve. Tashmë është çështje kohe që Porti i Durrësit të kthehet në portë e vetme, unike hyrëse për sipërmarrjen kosovare në kuptimin e kontrollit doganor. Kjo do të thotë që çdo sipërmarrje kosovare mjafton që të inspektohet, të kontrollohet, zhdoganohet në Portin e Durrësit dhe të ketë hyrje të drejtpërdrejtë më pas drejt Kosovës, në tregun kosovar. Dogana Shqiptare, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, kanë filluar një projekt të përbashkët për hapjen e Zyrës së Operimit të Doganës Kosovare pranë Degës së Doganës, Durrës.
Shkëmbimet tregtare në rënie
Intensifikimi i bashkëpunimit ekonomik, krijimi i një tregu të përbashkët, si dhe lehtësi për bizneset e të dy vendeve, duket se nuk po ndihet në shkëmbimet tregtare të dy vendeve. Referuar të dhënave më të fundit zyrtare të publikuara nga Instituti i Statistikave, rezulton se shkëmbimet tregtare mes dy vendeve gjatë vitit të kaluar ishin në rënie.
Eksportet shqiptare drejt Kosovës gjatë 2016 janë mbi 4 miliardë lekë më pak se gjatë vitit 2015. Ndërsa importet kanë një rritje të lehtë, por përsëri mbeten në vlera modeste. Gjatë vitit 2016 importet kapën një vlerë prej 5.8 miliardë lekësh, nga 5.4 miliardë lekë që ishin në vitin 2015. Por kjo rënie e shkëmbimeve tregtare ka shqetësuar bizneset e dy vendeve, të cilat thonë se hapësirat boshe po i shfrytëzojnë vendet e tjera të rajonit, duke nënkuptuar kryesisht serbët të cilët po fitojnë gjithnjë e më tepër terren në tregjet e të dy vendeve.
“Shumë vende të rajonit e më gjerë janë shumë agresive dhe është më e lehtë të depërtosh kur “përçan dhe sundon”, ndaj duhet vërtetë të jemi shumë më aktivë”, ka deklaruar pak kohë më parë, Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës. Sipas tij, kemi një thjeshtim të pamjaftueshëm të procedurave lidhur me sistemin doganor dhe as Shqipëria, e as Kosova nuk janë në statusin që të jenë konkurruese në rajon me produktet e tyre.
Paketa e biznesit
Me vepra konkrete duhet dhe mund të përkrahet, fuqizohet dhe thellohet bashkëpunimi ekonomik në mes të Kosovës dhe Shqipërisë u konstatua në Forumin e parë Ekonomik Kosovë-Shqipëri, i cili u mbajt në Prizren, i organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë. Sipas Nikolin Jakës, kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë, ky aktivitet pati një rëndësi të madhe ku ofroi një të ardhme për zhvillimin ekonomik të të dyja vendeve.
“Ne mblidhemi shpesh dhe diskutojmë për problemet dhe hallet që kemi, por qeveritë tona duhet të na krijojnë mekanizmin se si të suportohen produktet tona. Do t’u bëja një thirrje qeverive se nuk mjafton vetëm mbështetja, heqja e burokracive, por që tani duhet të mendojmë për një strategji afatgjatë, në mënyrë që qeveritë tona të krenohen me sipërmarrësit tanë”, tha ai. Ndërsa për Kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, tha se “hapja e perspektivave për bashkëpunim dhe avancim është hapja e rrugës për të hequr sfidat që kanë dy shtetet. Jeni të atakuar nga një konkurrencë agresive, i njollosin produktet e Kosovës dhe të Shqipërisë për të bllokuar bashkëpunimin ekonomik”.
Për këtë qëllim Oda Ekonomike e Kosovës dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë themeluan Zyrën e Bashkëpunimit të Biznesit për të analizuar me shumë kujdes problematikat e sipërmarrjes private dhe mungesën e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, si dhe adresimin e problematikave të sipërmarrjeve të të dy vendeve.
Problematikat e evidentuara nga dhomat e bizneseve të dy vendeve janë sidomos: mosfunksionimi i praktikave që mundësojnë lëvizjen e shpejtë të mallrave mes dy vendeve; mungesa e përfaqësuesve fitosanitarë në pikat doganore ,që e bëjnë të vështirë qarkullimin në kohë të produkteve ushqimore; mungesa e planifikimeve konkrete dhe bashkëpunimit konkret nëpërmjet qeverive përkatëse; evidentimi i një klime mosbesimi ndërmjet palëve, gjë e cila rrezikon avancimin e bashkëpunimit dhe perspektivën e vendeve drejt një ekonomie kombëtare; pamundësia e implementimit të tregut të përbashkët energjetik, për shkak të pengesave politike të krijuara nga Serbia.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë dhe Oda Ekonomike e Kosovës janë angazhuar të rrisin dialogun, për krijimin e besueshmërisë së produktit dhe bashkëpunimit ekonomik. Gjithashtu, ato angazhohen në nxitjen e mekanizmave për krijimin e ndërmarrjeve të përbashkëta dhe shfrytëzimin e resurseve komplementare. Organizimin e aktiviteteve të përbashkëta nëpërmjet panaireve, workshop-eve dhe forumeve në Tiranë dhe Prishtinë, me qëllim promovimin e produkteve të të dy vendeve tona. Dhomat e Biznesit kërkojnë nga qeveritë e dy vendeve duhet të hartojnë një plan strategjik për ekonomi kombëtare komplementare, hartimin dhe implementimin e sistemit fiskal të unifikuar mes dy vendeve dhe përgatitjen e kushteve për heqjen e pikave doganore.
Tabelë
Eksportet
2015 20.9 mld lekë
2016 16.6 mld lekë
Importet
2015 5.4 mld lekë
2016 5.8 mld lekë
Violeta Shqalsi/SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.