Problemet e gazetarëve në punë/ Koçi: Duhet ndërhyrje e thellë, si reforma në drejtësi. Duma: Dëgjesa me inspektoratet

Rregullimi i situatës në media, në drejtim të respektimit të të drejtave në punë të gazetarëve dhe lirisë profesionale ka nevojë për një ndërhyrje të thellë, të ngjashme me atë të reformës në drejtësi”. Deklarata u bë nga kryetari i komisionit parlamentar të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik, Petro Koçi.
Rregullimi i situatës në media, në drejtim të respektimit të të drejtave në punë të gazetarëve dhe lirisë profesionale ka nevojë për një ndërhyrje të thellë, të ngjashme me atë të reformës në drejtësi”. Deklarata u bë nga kryetari i komisionit parlamentar të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik, Petro Koçi, gjatë një tryeze konsultimi të organizuar nga Komiteti Shqiptar I Helsinkit, që kishte në fokus prezantimin e gjetjeve dhe sfidave që kanë rezultuar nga Barometri i Lirisë së Medias 2021 dhe raporti studimor mbi të drejtat në punë të gazetarëve.
Ndërkaq, kryetarja e Komisionit parlamentar të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë, Grida Duma deklaroi se shumë shpejt do të organizohen dëgjesa me Inspektoratin Shtetëror të Punës dhe institucionet e tjera, që kanë në fokus të tyre marrëdhëniet e punës dhe ato tatimore.
Të dhënat e Barometrit konfirmojnë gjendjen e përkeqësuar të lirisë së shprehjes gjatë vitit që lame pas, të matur në raportet vjetore nga Freedom House dhe Reporterë pa Kufij.
Sipas të dhënave nga Barometri, që përfshin intervistat me 200 punonjës të medias, 30.2% u përgjigjën se nuk kanë një kontratë të rregullt pune apo nuk kanë informacion për marrëdhënien e tyre kontraktuale, çka nënkupton se ata e ushtrojnë profesionin në informalitet të plotë. Ndërkohë që, mbi 31% e të anketuarve konfirmuan informalitetin e pjesshëm, pasi deklaruan se nuk e marrin të plotë pagën në bankë.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.