Problemet e sigurimeve – AMF raporton në Kuvendin e Shqipërisë
Gjatë raportimit vjetor në Kuvendin e Shqipërisë, drejtor i përgjithshëm ekzekutiv i AMF-së, Ervin Koçi, tha të enjten se tregu i sigurimeve ngelet i pazhvilluar dhe problematik në drejtim të standardeve të qeverisjes dhe menaxhimit. Çështja më e vështirë ngelet trajtimi dhe shlyerja e dëmeve nga Byroja Shqiptare e Sigurimeve, që është përgjegjëse për dëmet e shkaktuara nga mjetet e pasiguruara.
Me gjithë presionin në rritje, Byroja ende nuk ka shlyer plotësisht dëmet e prapambetura dhe nuk ka caktuar një shoqëri ndërkombëtare për auditimin e veprimtarisë së saj, siç kishte urdhëruar AMF.
Veç probleme të tjera, AMF nuk po arrin as të miratojë një drejtor të Byrosë Shqiptare të Sigurimeve i cili të përmbushë kriteret ligjore. Pas shumë përpjekjesh, në muajin maj, asambleja e anëtarëve të Byrosë paraqiti një kandidaturë për miratim në AMF, siç parashikohet në ligj. Por, kandidatura e drejtorit të komanduar, Kevin Lleshi, u refuzua në fillim të qershorit nga Bordi i AMF-së, për shkak se ai ka qenë subjekt i masave administrative dhe në mënyrë të përsëritur nuk ka zbatuar vendime të mara nga Autoriteti mbikëqyrës.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.