Problemet e transportit ndërqytetas, Balluku: Paketë e re për shërbim më cilësor për qytetarët
Pas shqetësimeve të ngritura për lulëzimin e transportit të paligjshëm apo licencimin abuziv të linjave të transportit, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka pritur në një tryezë përfaqësues të transportit publik ndërqytetas dhe ndërkombëtar, ku njoftoi hartimin e një pakete të re, me qëllim ofrimin e një shërbimi sa më të mirë për qytetarët.
“Qytetari për ne është shumë i rëndësishëm dhe rregullimi i proceseve të operimit në sektorin tuaj do të bëhet për t’u ofruar një shërbim më të mirë qytetarëve, për të vendosur rregull dhe drejtësi në mënyrën sesi ju operoni dhe sigurisht për t’ju lehtësuar ju. Të gjithë problematikat tuaja do marrin zgjidhje dhe ju duhet të bëhet pjesë e këtij procesi” u shpreh ministrja.
Ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimeve të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhja, tha se paketa e re që po hartohet do të prek të gjitha linjat dhe zgjidhja që do të ofrohet do të jetë në favor të qytetarëve.
“Po përgatisim një paketë që ministria të ketë për gjithë rrjetin e linjave. Të ketë një qartësi se çfarë është më e leverdisshme për qytetarin në radhë të parë, sepse duhet ta kuptojmë se nuk jemi as ne, as ju të parët por është qytetari. Ne duhet zgjidhim çështjen në në favor të tij, të çmimit, të tarifave, të komoditetit etj” tha Gonxhja.
Prej kohësh Shoqatat e Transportit Kombëtar Interurban ka ngritur shqetësimin e licencimit të linjave të panevojshme për qytetarët si dhe faktin se mbi 250 automjete ofrojnë shërbim të palicencuar, ndërkohë që institucionet nuk marrin asnjë masë penalizuese kundrejt tyre.
Ola Mitre/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.