Problemet me anulimet e fluturimeve – Balla: Aviacioni dhe ministria të japin shpjegime, masa ndaj kompanive
Pas vonesave dhe anulimeve të shumta të fluturimeve, deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla kërkon nga Autoriteti i Aviacionit Civil dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë të japin shpjegime mbi arsyet dhe masat që pritet të ndërmerren në këtë drejtim.
Deklarata e Ballës u bë gjatë diskutimit në Komisionin Parlamentar të Integrimit, të Kodit të ri Ajror, i cili është një dokument i ndryshuar në pjesën më të madhe të neneve, por që sipas komisionit nuk është tërësisht i përafruar me legjislacionin e Bashkimit Evropian.
Sipas të dhënave të raportuara nga Autoriteti i Aviacionit Civil vetëm në muajt korrik dhe gusht u shënuan 95 vonesa apo anulime fluturimesh, shifra që janë dukshëm më të larta në krahasim me muajt e parë të vitit. Kjo pasi për periudhën janar – qershor nga këto kompani janë shënuara në total 65 anulime apo vonesa mbi 2 orë, që gjithsesi mbetet një shifër problematike.
Sipas legjislacionit në fuqi, në rast vonesash apo anulimesh të fluturimeve, kompanitë ajrore kanë detyrimin për rimbursimin e pasagjerëve, çka do të thotë se pasagjeri i dëmtuar duhet të përfitojë një shumë të caktuar parash për shkak të situatës me të cilën është përballur.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.