Problemet me dokumentet e tenderit – APP iu ofron asistencë institucioneve: Hartim i procedurave sipas legjislacionit
Agjencia e Prokurimit Publik do të japë asistencë për institucionet shtetërore gjatë fazës së hartimit të dokumenteve standarde të tenderit, me qëllim zbatimin e legjislacionit në fuqi në këtë fushë. Ky dikaster ka publikuar edhe një udhëzim për rastet kur autoritetet apo entet kontraktore vlerësojnë të nevojshme asistencën paraprake të APP në fazën e përgatitjes së dokumenteve të tenderit, përpara dërgimit të procedurës së prokurimit për publikim.
Sipas udhëzimit, APP, pasi njihet me dokumentet e dërguara për asistencë, jep mendim nëse ky dokumentacion është hartuar ose jo në përputhje me parashikimet ligjore dhe nënligjore. Ndërkohë që, në rast se konstaton se ka parashikime që nuk vijnë në përputhje me dispozitat ligjore, këshillon personin përgjegjës për procedurën tenderuese, për mirëzbatimin e legjislacionit, në drejtim të hartimit të dokumenteve të tenderit.
Megjithatë, mendimi i dhënë nga APP fokusohet vetëm në dhënien e sugjerimeve mbi hartimin e dokumenteve të tenderit. Ndërkohë që, çdo kërkesë tjetër e veçantë për kualifikim vendoset vetë nga autoriteti kontraktor. Ky udhëzimi vjen vetëm pak javë pas një tjetër rekomandimi të APP-së për institucionet në drejtim të hartimit të procedurave, për shpenzimin e parave publike. Rekomandimi bazohej në verifikimin e ligjshmërisë për procedura prokurimi, të zhvilluara gjatë periudhës 2019-2020, ku ishin konstatuar një sërë shkeljesh dhe mangësish, kryesisht në drejtim të përllogaritjes së fondit limit, por edhe vendosjes së kërkesave të veçanta të kualifikimit, që shpesh herë janë konsideruar të qëllimshme për favorizimin e operatorëve të caktuar ekonomikë dhe skualifikimin e të tjerëve.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.