Problemet me garat tenderuese – Vetëm në dhjetor, 66 subjekte ankohen në KPP, pranohen rreth 50% e tyre
Hartimi i kritereve dhe dokumenteve të tenderit apo kontestimet në vlerësimin e ofertave kanë detyruar 66 subjekte të ankohen pranë Komisionit të Prokurimit Publik. Të dhënat i përkasin vetëm muajit dhjetor të këtij viti, ndërkohë që referuar vendimmarrjeve të KPP-së, rezulton se 31 prej këtyre ankesave apo rreth 50% e tyre janë pranuar. Kjo do të thotë se, ky dikaster i ka dhënë të drejtë operatorëve ekonomikë, në drejtim të vendosjes së kritereve për të marrë pjesë apo për t’u kualifikuar në një tender për punë, mallra apo shërbime, duke rrëzuar institucionet shtetërore, që shpesh herë janë kritikuar për vendosjen e kritereve selektive, me qëllim shpalljen fitues të operatorëve të paracaktuar.
Ndërkaq, nuk mungojnë as rastet kur Komisioni i Prokurimit Publik iu ka dhënë të drejtë operatorëve ekonomikë, në drejtim të vlerësimit të ofertave, duke pranuar ankesat e tyre. Në këtë kuadër, edhe Agjencia e Prokurimit Publik ka nxjerrë një rekomandim për institucionet në drejtim të hartimit të procedurave, për shpenzimin e parave publike.
Rekomandimi bazohej në verifikimin e ligjshmërisë për procedura prokurimi, të zhvilluara gjatë periudhës 2019-2020, ku ishin konstatuar një sërë shkeljesh dhe mangësish, kryesisht në drejtim të përllogaritjes së fondit limit, por edhe vendosjes së kërkesave të veçanta të kualifikimit, që shpesh herë janë konsideruar të qëllimshme për favorizimin e operatorëve të caktuar ekonomikë dhe skualifikimin e të tjerëve. Paralelisht, vetëm disa ditë më parë miratoi edhe udhëzuesin e konfliktit të interesit, duke synuar shmangien e cenimit të paanësinë dhe pavërtetësinë në vendimmarrjen e procedurës së prokurimit.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.