Problemet në zonat rurale – Gjiknuri: Do të investojmë më shumë në fshat

Pas zgjedhjeve të 25 qershorit Damian Gjiknuri ka premtuar se do të ketë më shumë investime për fshatin. Këtë deklaratë, drejtuesi politik i qarkut të Vlorës, Gjiknuri e ka bërë në fshatin Llakatund.
“Edhe fshati juaj dhe gjithë komuna do të transformohet. Siç bëmë rrugën e Risilisë, ndërhyrjet në sistemin energjitik. Vlora do të vazhdojë të thithë investime nëse Partia Socialiste do të ketë drejtimin e vetëm të qeverisë dhe prandaj duam që ti çojmë punët përpara”, theksoi Gjiknuri.
Kryetari i socialistëve të Vlorës Anduel Tahiraj tha se pas pak ditësh, shqiptarët kanë një shans për të zgjedhur njerëzit e duhur që do drejtojnë vendin për katër vitet e ardhshme.
“Unë ju ftoj që të votojmë Partinë Socialiste, të votojmë Edi Ramën, të votojmë ministrin e deputetin tonë. Ky është një shans që e kemi të gjithë duke patur Kryeministrin dhe ministrin, njerëzit më të fortë dhe më të suksesshëm që drejtojnë dhe do drejtojnë nesër Vlorën dhe gjithë Shqipërinë. Ju ftoj të gjithëve të punojmë për fitoren e 25 Qershorit”, u shpreh Tahiraj.
Ndërkaq, Gjiknuri në fjalën e tij pranoi se fshati ka probleme të mëdha por ato duhet të zgjidhen gradualisht.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.