Procedura e re për ndryshimin e kufirit të pronave. Dokumentet dhe hapat që ndiqen për aplikimin online

Publikohet procedura për ndryshimin e kufirit për pasuritë e paluajtshme. Tashmë qytetarët mund ta marrin këtë shërbim duke aplikuar on-line në portalin “E-Albania”.
“Ky shërbim elektronik u vjen në ndihmë qytetarëve që të dërgojnë një aplikim për ndryshim kufiri shoqëruar me aktet apo dokumentet ligjorë (akte noteriale, vendime gjykate, etj). Pas dërgimit të aplikimit drejt ZRPP-së, ai do të procesohet nga specialisti i ZRPP-së dhe në varësi të informacionit, kthimi i përgjigjes dhe i materialeve të kërkuara nga kërkuesi kryhet nëpërmjet informimit me e-mail, dërgimit të përgjigjes elektronike tek “Dokumentet e mia” në profilin e qytetarit në E-Albania, si dhe me shërbim postar nëse qytetari kërkon përgjigjen në format letër. Kërkesa për kryerjen e një shërbimi nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZRPP), në zbatim të Ligjit Nr. 33/2012 bëhet nga kërkuesi, vetë ose nëpërmjet përfaqësuesit të tij, noteri apo asistenti i noterit. Pranë Zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme funksionon Regjistri Elektronik i përpunimit të kërkesave, i cili garanton trajtimin e praktikave sipas radhës së paraqitjes së kërkesave. Minimalisht, në regjistër regjistrohen numri i kërkesës, data e paraqitjes dhe data e përfundimit të afatit për trajtim, sipas rendit kronologjik”, thuhet në njoftimin e E- Albania.
Sipas portalit E- Albania kërkuesi që paraqet një kërkesë për kryerjen e një shërbimi nga ZRPP, pajiset me një numër identifikimi të kërkesës dhe Kodin e Sigurisë, me anë të të cilëve mund të verifikojë gjendjen e trajtimit të kërkesës së tij. Kthimi i përgjigjes elektronike dhe i materialeve të kërkuara nga kërkuesi kryhet nëpërmjet dërgimit tek “Dokumentet e mia” në e-Albania dhe informimit me e-mail për shkarkimin e përgjigjes elektronike.
“Gjithashtu nëse qytetari dëshiron përgjigjen në format letër, e merr nëpërmjet shërbimit postar. Çdo tarifë për shërbimin në ZRPP, paguhet në llogarinë bankare të Zyrës së Regjistrimit”, thuhen në njoftim.
Dokumentacioni i nevojshëm
– Dokument identifikimi i përdoruesit: Kartë Identiteti ose pasaportë biometrike (i nevojshëm për t’u loguar në portalin e-Albania)
– Kërkesë me shkrim nga i interesuari (e skanuar) ku përfshihen të dhënat e nevojshme për identifikimin e pasurisë
– Dokument pronësie
– Planrilevimi
– Deklaratë noteriale e kufitarëve
– Vërtetimi i ndryshimit të kufirit i lëshuar nga autoritetet e pushtetit vendor ose nga subjekti shtetëror qe e ka në administrim
Hapat e procedurës
-Identifikohuni si qytetar ose si biznes në portal
-Zgjidhni shërbimin “Ndryshim kufiri”
-Klikoni butonin “Përdor”
-Plotësoni formularin elektronik me të dhënat e nevojshme mbi Zyrën vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, mbi pronën, mbi shërbimin/shërbimet e kërkuara dhe taksat e nevojshme.
-Klikoni butonin “Dërgo” në faqen e fundit të formularit.
-Shkarkoni mandatpagesën me të cilën mund të paraqiteni në bankë për të kryer pagesën e nevojshme.
-Punonjësi i ZRPP-së proceson kërkesën e ardhur dhe në varësi të vendimit që merret i kthen përgjigje me e-mail aplikuesit, me URL-në e shkarkimit të përgjigjes elektronike të ruajtur tek “Dokumentet e mia” në e-Albania, ose me njoftimin e arsyes së refuzimit.
Koha e nevojshme për marrjen e shërbimit është 15 ditë ndërkohë që kostoja për marrjen e shërbimit është 700 lekë.
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.