Procedura e re për regjistrimin e lejeve të ndërtimit. Dokumentet që duhen dorëzuar në ZRPP. Tarifa dhe hapat që ndiqen

Të gjithë personat e interesuar për të regjistruar në institucione një leje ndërtimi, tashmë e kanë këtë mundësi. Për çdo leje ndërtimi të miratuar nga kryetari i Këshillit të Fshatit apo KP-ja e qytetit, qytetarët kanë mundësi për aplikim online për regjistrimin e saj.
“Portali unik qeveritar E-Albania ofron shërbimin elektronik “Regjistrimi i lejes së ndërtimit”(Klikoni këtu për më gjatë) përmes të cili çdo i interesuar mund të dërgojnë aplikimin, për të cilin ZRPP-ja do të kryejë procedurat përkatëse dhe informon brenda 10 ditëve organet e administratës tatimore për regjistrimin e lejes së ndërtimit”.
Përgjigjja dërgohet në rrugë elektronike ose edhe me postë, sipas zgjedhjes së aplikantit, i cili ka të drejtë të aplikojë vetë, nëpërmjet përfaqësuesit të tij, noteri apo asistenti i noterit.
Shërbimi elektronik u vjen në ndihmë qytetarëve që të dërgojnë një aplikim për regjistrimin e lejes së ndërtimit:
– Leja e ndërtimit dhe/ose leja e zhvillimit, e lëshuar nga autoriteti përgjegjës, përcillet për regjistrim nga organet e pushtetit vendor në zyrën përkatëse vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Regjistruesi bën regjistrimin e lejes së ndërtimit në një regjistër të veçantë, të ndryshëm nga ai ku është kryer regjistrimi i truallit, por duke kryer lidhjen me truallin, i cili përbën sheshin e ndërtimit, për të cilin është lëshuar leja e ndërtimit.
– Pas regjistrimit të lejes së ndërtimit, regjistruesi, sipas kërkesave të paraqitura nga personat e interesuar, regjistron në regjistrin e veçantë, në të cilin është regjistruar leja e ndërtimit, aktet noteriale të lidhura ndërmjet zhvilluesit të pronës, në cilësinë e investitorit, dhe pronarëve të truallit apo blerësve/porositësve të njësive individuale, që përbëjnë strukturën që do të ndërtohet, bazuar në lejen e ndërtimit.
– Për regjistrimin e akteve noteriale, të përmendura në pikën 2 të këtij neni, kur nga akti noterial mund të identifikohet njësia e individualizuar, pjesë përbërëse e strukturës, zbatohet parimi i përparësisë së regjistrimit, sipas nenit 37 të këtij ligji.
– Regjistruesi informon brenda 10 ditëve organet e administratës tatimore për regjistrimin e lejes së ndërtimit.
– Kriteret dhe procedurat për regjistrimin e lejes së ndërtimit dhe akteve noteriale të lidhura për zhvillimin në cilësinë e investitorit dhe pronarëve të truallit apo blerësve/porositësve të njësive individuale miratohen me udhëzim të Këshillit të Ministrave. Pas dërgimit të aplikimit drejt Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZRPP) ai do të procesohet nga specialisti i ZRPP-së dhe në varësi të informacionit kthimi i përgjigjes dhe i materialeve të kërkuara nga kërkuesi kryhet nëpërmjet informimit me e-mail, dërgimit të përgjigjes elektronike tek “Dokumentet e mia” në profilin e qytetarit në e-Albania, si dhe me shërbim postar nëse qytetari kërkon përgjigjen në format letër.
Kërkesa për kryerjen e një shërbimi nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZRPP), në zbatim të Ligjit Nr. 33/2012 bëhet nga kërkuesi, vetë ose nëpërmjet përfaqësuesit të tij, noteri apo asistenti i noterit. Pranë Zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme funksionon Regjistri Elektronik i Përpunimit të Kërkesave, i cili garanton trajtimin e praktikave sipas radhës së paraqitjes së kërkesave. Minimalisht, në regjistër regjistrohet numri i kërkesës, data e paraqitjes dhe data e përfundimit të afatit për trajtim, sipas rendit kronologjik.
Kërkuesi, që paraqet një kërkesë për kryerjen e një shërbimi nga ZRPP-ja, pajiset me një numër identifikimi të kërkesës dhe Kodin e Sigurisë, me anë të të cilëve mund të verifikojë gjendjen e trajtimit të kërkesës së tij. Kthimi i përgjigjes elektronike dhe i materialeve të kërkuara nga kërkuesi kryhet nëpërmjet dërgimit tek “Dokumentet e mia” në e-Albania dhe informimit me e-mail për shkarkimin e përgjigjes elektronike. Gjithashtu nëse qytetari dëshiron përgjigjen në format letër, e merr nëpërmjet shërbimit postar. Çdo tarifë për shërbimin në ZRPP, paguhet në llogarinë bankare të Zyrës së Regjistrimit.
Dokumentacioni i nevojshëm
Personat duhet të kenë këto dokumente për aplikim:
– Dokument identifikimi i përdoruesit: Kartë Identiteti ose pasaportë biometrike (i nevojshëm për t’u loguar në portalin e-Albania)
– Leje ndërtimi e miratuar nga kryetari i Këshillit të Fshatit të bashkuar KP të qytetit
– Shkresë përcjellëse nga institucioni që ka lëshuar aktin
– Dokument pronësie
– Planrilevimi
Hapat e procedurës
-Identifikohuni si qytetar ose si biznes në portal
-Zgjidhni shërbimin “Regjistrimi i lejes së ndërtimit”
-Klikoni butonin “Përdor”
-Plotësoni formularin elektronik me të dhënat e nevojshme mbi Zyrën vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, mbi pronën, mbi shërbimin/shërbimet e kërkuara dhe taksat e nevojshme
-Klikoni butonin “Dërgo” në faqen e fundit të formularit
-Shkarkoni mandatpagesën me të cilën mund të paraqiteni në bankë për të kryer pagesën e nevojshme
– Punonjësi i ZRPP-së proceson kërkesën e ardhur dhe në varësi të vendimit që merret i kthen përgjigje me e-mail aplikuesit, me URL-në e shkarkimit të përgjigjes elektronike të ruajtur tek “Dokumentet e mia” në e-Albania, ose me njoftimin e arsyes së refuzimit.
Koha e për marrjen e shërbimit është 10 ditë, ndërkohë periudha e vlefshmërisë së lejes është pa afat dhe kostoja për marrjen e shërbimit është 10000 lekë.
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.