Procedura e thjeshtëzuar e fiskalizimit/ Publikohet udhëzuesi i ri për kriteret që duhen plotësuar nga tatimpaguesit
Këshilli i Ministrave ka përcaktuar kategorinë e tatimpaguesve dhe kriteret që duhen plotësuar, në përdorimin e procedurës së thjeshtëzuar të fiskalizimit. Sipas vendimit të botuar në Fletoren Zyrtare, tatimpaguesit që lëshojnë fatura për transaksione me para në dorë, mund të lëshojnë fatura dhe të kryejnë procedurën e fiskalizimit, përmes përdorimit të platformës qendrore të faturave.
Kriteret që duhen përmbushur është se nuk duhet të jenë subjekt i tatimit mbi vlerën e shtuar, të mos kenë asnjë shkelje të konstatuar në lidhje me moslëshimin e faturës në 3 vitet e fundit, si dhe të mos kenë më shumë se një vendodhje të ushtrimit të veprimtarisë së biznesit.
Nga ana tjetër, tatimpaguesit që nuk janë subjekt i tatimit mbi vlerën e shtuar, të cilët lëshojnë fatura elektronike për transaksione pa para në dorë, mund të kryejnë procedurën e thjeshtëzuar të fiskalizimit përmes përdorimit të platformës qendrore të faturave, nëse nuk operojnë në më shumë se një vendodhje dhe nuk kanë asnjë shkelje të moslëshimit të faturave, në 3 vjeçarin e fundit.
“Tatimpaguesi që lëshon fatura sipas të dyja rasteve të lartpërmendura të këtij vendimi, mund të përdorë platformën qendrore të faturave për lëshimin dhe fiskalizimin e faturave, për sa kohë që përmbush të gjitha kriteret e kërkuara. Në momentin kur një nga kriteret nuk përmbushet më prej tatimpaguesit, tatimpaguesi nuk mund të përdorë më tej platformën qendrore të faturave për lëshimin dhe fiskalizimin e faturave, por duhet të zbatojë procedurën e fiskalizimit me anë të zgjidhjeve software-ike të certifikuara” përcaktohet më tej.
Vendimi hyn në fuqi menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare, ndërsa zbatueshmëria do të fillojë në të njëjtën kohë me afatet e përcaktuara në legjislacionin për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit.
Jenida Vladi/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.