Procesi i pranimit, Hahn: Shqipëria dhe Maqedonia “vrapuese” drejt BE
Zgjidhja e mosmarrëveshjes së emrit të Maqedonisë me Greqinë dërgon një sinjal të rëndësishëm, që pajtimi në Ballkanin Perëndimor është i mundur. Në një intervistë për DW, komisioneri për zgjerimin Johannes Hahn deklaroi se zgjidhja përfundimtare do të çonte përpara edhe procesin e pranimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.
“Zbatimi i marrëveshjes së emrit do të dërgonte sinjalin e rëndësishëm që pajtimi në Ballkanin Perëndimor është i mundur. Në këtë drejtim, ajo gjithashtu mund të ketë një efekt gjallërues në zgjidhjen e konfliktit midis Serbisë dhe Kosovës, duke çuar përfundimisht në një përparim procesin e pranimit të Ballkanit Perëndimor”.
Hahn jep dy arsye pse zgjidhja e emrit ka rëndësi për Ballkanin Perëndimor. Duke u ndalur te procesi i pranimit, komisioneri i konsideron Shqipërinë dhe Maqedoninë si “vrapuese” drejt BE, duke lënë të nënkuptuar se Serbia dhe Mali Zi mbeten mbrapa.
“Për dy arsye. Së pari, vendet e BE argumentojnë se pranimi në BE nga vendet e Ballkanit Perëndimor ka kuptim vetëm nëse të gjitha gjashtë vendet mund të përfshihen. Së dyti, ekziston një lloj konkurrence pozitive në Ballkan për atë se kush bën përparimin më të shpejtë. Për një kohë të gjatë, Serbia dhe Mali i Zi ishin të ashtuquajturat vrapuese para në procesin e pranimit, por tani mund të jetë Shqipëria dhe Maqedonia”.
I pyetur nëse këto përparime do të thonë se këto vende mund të jenë të parët që do të bashkohen në fillim të vitit 2025, Hahn thotë që kjo datë është indikativë, por nëse zbatimi i reformave është intensifikuar, ekzistojnë mundësitë.
“Megjithatë, të gjitha kërkesat e anëtarësimit duhet të plotësohen para se të bashkohen, nuk ka “rrugë më të shkurtër”. Këtu, motoja është: cilësia shkon përpara shpejtësisë”.
E.Z/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.