Procesi i Vettingut, ONM në Tiranë: Reforma jetike për hapjen e negociatave me BE
Bordi menaxhues i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit fillon punën për mbikëqyrjen e procesit të Vettingut në Tiranë.
Gjyqtarë dhe prokuror të nivelit të lartë nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të monitorojnë procesin e krijimit të organeve të Vettingut, si dhe rivlerësimin e të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve në gjyqësorin shqiptar.
Në një reagim për mediat, Drejtorja për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit në Komisionin Europian, Genoveva Ruiz Calavera, tha se stafi i sajë ka vetëm rol monitorues në këtë proces dhe vendimmarrja do t’i përkasë Kuvendit të Shqipërisë.
“Përgjatë procesit të Vettingut bordi i menaxhimit të ONM do të ruajë një rol mbikëqyrës dhe koordinimi për këto përpjekje monitorimi të komunitetit ndërkombëtar. Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit po kryen një monitorim të fuqishëm të procesit të Vettingut por ai nuk merr vendime ekzekutive. Të gjithë vendimet përfundimtare në këtë proces do i takojnë autoriteteve shqiptare dhe kështu duhet të bëhet”.
Përfaqësuesit e ONM-së mbërritën një ditë më parë në Tiranë dhe nesër pritet të vijnë të tjerë ekspertë. Më herët, Calavera pati takime pa praninë e mediave me Kryeministrin Edi Rama, me Kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta, si dhe me ambasadorët e BE-së dhe SHBAS-së në Tiranë.
Florenc Drizari/RTV SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.