Prodhim i kundërligjshëm ushqimesh – Policia bllokon 2 punishte dhe procedon penalisht 2 pronarët
Policia e Shtetit njofton se nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Dibër, filloi procedimi penal për shtetasit: M. K., 55 vjeç, banues në Shupenzë dhe M. P., 65 vjeç, banues në Peshkopi.
Sipas njoftimit procedimi penal ndaj tyre filloi pasi, gjatë kontrolleve të ushtruara nga Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në bashkëpunim me Autoritetin Kombëtar Ushqimor, kanë ushtruar kontrolle të befasishme në disa punishte që dyshoheshin se përdoreshin në mënyrë të kundërligjshme për prodhimin e ushqimit për konsum.
Policia bën me dije se si rezultat në Shupenzë është bllokuar punishtja e shtetasit M. K., dhe në qytetin e Peshkopisë është bllokuar punishtja e shtetasit M. P., pasi janë konstatuar duke prodhuar produkte ushqimore në kushte të pa përshtatshme higjienike në kundërshtim me ligjin ‘Për Ushqimin’, dhe aktivitetin e ushtronin pa qenë të regjistruar pranë organeve tatimore.
Sipas informacionit të publikuar materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, për veprat penale “Mashtrimi me produktet ushqimore”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Ushtrimi i aktivitetit pa qenë i regjistruar pranë organeve tatimore”.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.