Prodhimet bujqësore – Nis ndërtimi i 4 rrugëve në Ndroq, Veliaj: Lehtëson tregtinë

Pas rikonstruksionit të rrjetit të ujësjellësit dhe urës së Mënikut, Bashkia e Tiranës ka nisur ndërtimin e rrugëve të brendshme të fshatit Ndroq. Investimi pritet të lehtësojë tregtimin e produkteve bujqësore të zonës në tregjet e Tiranës, ndërkohë që punimet u inspektuan nga kryebashkiaku Erion Veliaj.
“Tani jemi futur në nivel kapilar në katër “damarët” kryesorë të Ndroqit. Katër damarë që janë rrugë dhe përfaqësojnë katër lagje, që besoj në fund të kësaj vere do të shijojnë frytet e këtij investimi. Kemi bërë disa teste, si në Krrabë, në Zall-Herr, Vaqarr, Pezë, Ndroq dhe na rezulton se tani që kemi mbaruar me infrastrukturën kryesore, shkuarja e investimeve në nivel kapilar është mënyra më e mirë për të ecur përpara me urbanizimin e zonave rurale të Tiranës”.
Veliaj siguroi se në dy vitet në vazhdim do të marrë zgjidhje problemi i ndërtimit dhe i asfaltimit të rrugëve në kryeqytet, duke lehtësuar në këtë mënyrë edhe shkëmbimin e mallrave të zonës.
“Mezi pres që në dy vitet e tjera t’i trajtojmë si një paketë jo më me katër e nga katër rrugë, por ndoshta nga 40 e 50, për t’u siguruar që njëherë e mirë e mbyllim ankthin për asfalt në Tiranë, që të fokusohemi më pas tek gjëra më të qenësishme, siç është nevoja për akses në treg, kur vjen puna tek produktet bujqësore të zonës dhe pastaj tërheqja e atyre që duan të jetojnë jashtë zonës urbane në zonën rurale, duke reklamuar më shumë periferinë e Tiranës”.
Përveç lehtësimit të lëvizshmërisë, investimet pritet të rrisin edhe vlerën e pronës në këtë zonë.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.