Prodhimet bujqësore/Përfundon ura e Mënikut, Veliaj: I afron me tregjet e Tiranës
Bashkia e Tiranës ka përfunduar ndërtimin e urës së Mënikut, e cila ju vjen në ndihmë jo vetëm 1200 banorëve të Ndroqit, por edhe automjeteve. Përfundimi i punimeve u inspektuar edhe nga kryebashkiaku, Erion Veliaj, i cili tha se ky investim do të afrojë më shumë banorët dhe produktet bujqësore të zonës me tregjet në Tiranë
“Jam shumë i lumtur që kemi mbajtur fjalën e dhënë për 1200 banorët e Mënikut. Ky është një lajm i mirë sepse këta banorë nuk janë më të izoluar nga qyteti, nga tregu, por janë më afër se kurrë me një urë që vjen si i Bashkisë së Tiranës dhe ushtrisë shqiptare. Dua të falënderoj shumë Mimi Kodhelin dhe gjithë kolegët e Forcave të Armatosura. Patëm një bashkëpunim fantastik për t’u siguruar që një nga komunitetet më të mira të Tiranës të jetë realisht afër Tiranës, siç janë gjithë komunitetet e tjera”.
Kryebashkiaku deklaroi se në dy vitet në vazhdim, vëmendja do të jetë tek përmirësimi i infrastrukturës në zonat rurale, ndërsa shtoi se Bashkia e Tiranës po sheh me prioritet investimet që afrojnë produktet e zonës së Tiranës me tregjet, duke ndikuar pozitivisht dhe në rritjen e të ardhurave të këtyre zonave.
“Në zonat ku kalojnë autostrada do të sigurohemi që nuk janë xhepa, por ka arsye që njerëzit ose të kalojnë për turizëm, siç ishte Shpella e Pëllumbasit, ose të kalojnë për aktivitete në natyrë siç është gjithë zona e Baldushkut, dhe mbi të gjitha për rrugë dhe për investime që afrojnë më shumë fermerët me tregun. Një fermer i zonës së Mënikut duhet të kalonte një peripeci të tërë mbi lumë për ta çuar produktin në treg. Sot kjo zgjidhet me urën. Investime të tilla që afrojnë produktet e zonës së Tiranës me tregjet do të kenë dhe prioritet nga Bashkia e Tiranës”.
Kryetari i Bashkisë tha se investime të tilla do të shtrihen në nivel kapilar edhe në fshatra të tjerë të zonës së Ndroqit dhe të ish-komunave, duke zgjidhur përfundimisht dhe problemin e mungesës së infrastrukturës rrugore të zonave rurale me Tiranën.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.