Prodhimi i energjisë nga dielli – ERE nis procedurat për licencimin e 2 kompanive të para
Enti Rregullator i Energjisë ka nisur shqyrtimin e 2 kërkesave për licencimin e prodhimit të energjisë elektrike nga impiante fotovoltaike, duke i hapur rrugën diversifikimit të burimeve prodhuese të energjisë.
Parqet që do të prodhojnë energji nga dielli parashikohet të ndërtohen në zonën e Tropojës në Fier.
Ndërkohë që, referuar kërkesave, njëri prej tyre do të ketë një kapacitet të instaluar 2000 KW, ndërsa tjetri 1998 KW. Nisja e shqyrtimit të këtyre kërkesave vjen pas një numri të lartë aplikimesh për ndërtimin e parqeve fotovoltaike përgjatë vitit 2017.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë vetëm në muajin tetor u depozituan 10 shprehje interesi, me një vlerë investimi mbi 23 milion euro. Ndërkohë që, për periudhën prill-korrik të këtij viti pranë këtij dikasteri u paraqitën 8 kërkesa.
Aktualisht ende nuk ka një park fotovoltaik funksional, duke qenë se vetëm Ujësjellësi i qytetit të Korçës ka instaluar panele diellore, duke prodhuar energji për të plotësuar nevojat e veta.
Diversifikimi i burimeve të prodhimit të energjisë është kërkuar me ngulm nga ekspertët, duke e cilësuar si mundësi jo vetëm për prodhimin e energjisë, por edhe si nxitje për zhvillimin ekonomik dhe mbrojtjen e mjedisit.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.