Prodhimi i energjisë nga era! Investitorët shfaqin interes për impiante eolike, aplikim për central 3 MW
Paralelisht me diellin, kompanitë po rritin interesin për investime të prodhimit të energjisë nga era, teksa së fundmi një tjetër shoqëri ka depozituar aplikimin pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Kërkesa është bërë nga shoqëria “SEMAN ENERGY”, që parashikon ndërtimin e një impianti eolik, me kapacitet 3 MW, në fshatin Grykë, Njësia Administrative Topojë, Qarku Fier. Ky është aplikimi i dytë, që vjen brenda një periudhe 2-javore, duke qenë se më herët edhe një tjetër kompani aplikoi për ndërtimin e një impianti në zonën e Semanit në Fier.
Aktualisht, në vendin tonë nuk ka asnjë impiant të prodhimit të energjisë nga era, ndërkohë që nevoja për diversifikimin e burimeve të prodhimit të energjisë është e madhe, për shkak të varësisë nga kushtet hidrike.
Në fakt, Enti Rreguillator i Energjisë ka licencuar disa kompani për kryerjen e kësaj veprimtarie, por ndërtimi në terren nuk ka nisur ende. ERE ndërmori edhe një proces monitorimi në terren për këtë çështje, por situata e krijura ngai COVID-19 e shtyu për një moment të dytë, çka bën që ende të mos kemi një situatë të qartë se çfarë po ndodh me vonesat në ndërtimin e këtyre impianteve.
Ndërkaq, ERE parashikon që proçesi i monitorimit, hartimi i konkluzioneve përkatëse dhe marrja e vendimeve nga ERE pritet të mbyllet përgjatë vitit 2020. Me përfundimin e këtij monitorimi nga ERE do të vlerësohen në analizë të gjetjeve të monitorimit edhe shtyrja apo jo e afateve për plotësimin e secilës prej kushteve të këtyre liçensave nga subjektet respekive.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.