Prodhimi i energjisë – U rrit me 89% vitin e kaluar
Statistikat finale konfirmuan se prodhimi i energjisë elektrike pothuajse u dyfishua gjatë vitit të kaluar. Sipas Institutit të Statistikave, ky prodhim arriti në afro 8600 GWh (gigavat orë). Krahasuar me vitin 2017, prodhimi i energjisë elektrike u rrit me 89%, sidomos falë prurjeve të mëdha të lumenjve në gjysmën e parë të vitit.
Prodhimi më i lartë ndikoi edhe në rritjen e eksportit të energjisë. Vitin e kaluar, Shqipëria eksportoi pesë herë më shumë energji, me ndikim të konsiderueshëm në bilancin tregtar të vendit. Gjithashtu, energjia vlerësohet të ketë qenë sektori me kontributin më të lartë në rritjen ekonomike për vitin e kaluar, të paktën për 9-mujorin.
Nga ana tjetër, këto shifra tregojnë edhe njëherë se sektori energjetik në Shqipëri, por edhe bilanci tregtar dhe rritja ekonomike, kanë një varësi të lartë nga kushtet hidrike. E gjithë energjia elektrike që prodhohet në vend vjen nga hidrocentralet, ndërsa burimet alternative të prodhimit të energjisë janë praktikisht zero. Kjo sjell luhatje të shpeshta të prodhimit nga viti në vit, në varësi të prurjeve të lumenjve.
Për të diversifikuar prodhimin, pritshmëritë më të mëdha janë nga burimet diellore. Qeveria shqiptare ka miratuar një projekt për ngritjen e një parku fotovoltaik në Vlorë, ndërsa dy projekte për parqe fotovoltaike lundruese priten të zbatohen edhe nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare si edhe nga Devoll Hydropower.
Sistemi energjetik ndërkohë vazhdon të ketë një raport të lartë të humbjeve në rrjet. Për vitin e kaluar, megjithatë, ky raport ra më tej në 23.3%, nga 25.2% që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas Instat, humbjet në shpërndarje kanë zbritur në 20.1%, nivel ky edhe më i ulët se statistikat që raporton Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.