Prodhimi industrial në Bashkimin Europian – Sektorët me ndryshimin më të madh

Nga viti 2010 deri në 2016, volumi i prodhimit industrial në Bashkimin Europian është rritur me 5.6%. Megjithatë, diferencat mes sektorëve të ndryshëm, sipas të dhënave të ofruara nga ‘Eurostat’ janë të dukshme dhe në to reflektohen qartë kërkesat e tregut dhe prioritet e BE në industri.
Kështu, gjatë këtyre gjashtë viteve, industria europiane është rritur ndjeshëm në aspektin e prodhimit të automjeteve, 29.7 për qind. Kjo tregon rëndësinë e kësaj industrie për Europën. Ky sektor punëson 12 milionë njerëz dhe përbën 4% të PBB-së së Bashkimit Europian.
Ndërkohë rritjen e dytë më të madhe e ka patur industria farmaceutike, ku përgatitja dhe prodhimi i produkteve bazike është rritur me 23 për qind. Ky sektor ka arritur të ketë një suficit tregtar prej 48.3 miliardë eurosh, çka e bën Europën një lider në këtë fushë. Me arritjen e marrëveshjes tregtare me Kanadanë dhe në pritje të marrëveshjeve me Japoninë dhe SHBA-në, shifrat pritet të jenë veç në rritje.
Sektorët e tjerë më të rëndësishëm me rritje janë prodhimi i pajisjeve për transportin (19.9%), prodhimi i kompjuterëve dhe produkteve elektronike e optike (13.7%), prodhimi i makinerive dhe pajisjeve (11%), si dhe aktivitetet në shërbim të suportit për minierat (9,4%).
Sa i përket sektorëve të industrisë në rënie, duket se ato janë thjesht pasqyrim i politikave mjedisore dhe shëndetësore të BE-së.
Është industria e duhanit ajo që ka patur goditjen më të madhe me një rënie prej 40,3 për qind. Ndiqet nga nxjerrja e qymyrit dhe linjitit, rënie prej 36% dhe nga nxjerrja e naftës bruto dhe gazit natyror, nxitur edhe nga çmimet e ulëta në tregje me një rënie prej 30,4%.
Industria e prodhimit të veshjeve ka një rënie prej 17,1%, ndërsa zhvillimi i teknologjisë ka sjellë rënie edhe në sektorin e printimit dhe riprodhimit të medias së regjistruar me 13.5%.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.