Prodhimi industrial në Britani – Bie me 1.3% në Dhjetor prej mbylljes së tubacionit “Forties”
Prodhimi industrial në Britani ka patur rënien më të madhe që prej vitit 2012 gjatë Dhjetorit, për shkak të mbylljes së përkohshme të një tubacioni kryesor të naftës. Megjithatë, rritja në manifakturë solli siguri për rritjen e qëndrueshme të ekonomisë në fund të 2017-ës.
Edhe prodhimi në ndërtim, tregoi një rritje të papritur gjatë Dhjetorit. Rritja e ekonomisë britanike u ngadalësua lehtë në vitin 2017, ndërkohë që inflacioni i lartë ka kufizuar shpenzimet konsumatore.
Kjo vjen kryesisht prej rënies së paundit, që nga ana tjetër, ka sjellë një balancim nëpërmjet forcimit të pozitës së eksportuesve. Prodhimi industrial ra me 1.3% me bazë mujore për Dhjetorin, që është rënia më e madhe që prej Shtatorit 2012, raporton zyra Kombëtare e Statistikave. Analistët prisnin një rënie me vetëm 0.9% kryesisht prej mbylljes së tubacionit Forties në detin e veriut.
Megjithatë, tubacioni është rikthyer në funksion dhe pritet një rimëkëmbje për muajin Janar. Në total, të dhënat nuk ka gjasa të sjellin shqetësime te zyrtarët e Bankës së Anglisë, që rritën projeksionet për ekonominë britanike, në një kohë të përmirësimit global.
Sektori i manifakturës, që përfshihet në treguesin e përgjithshëm mbi prodhimin industrial, pati një rritje të outputit me 0.3%, duke shënuar muajin e 8 radhazi të rritjes.
Zyra Kombëtare e Statistikave raportoi gjithashtu se deficiti tregtar në mallra i Britanisë me pjesën tjetër të botës, është zgjeruar në 13.6 miliardë paund ($18.9 mld), sipër projeksioneve të analistëve.
Statisticienët e lidhën këtë zmadhim të deficitit me rritjen e çmimeve të naftës bruto dhe importeve më të mëdha. Ndër të tjera, zyra e Statistikave raportoi gjithashtu se prodhimi në ndërtim është rritur me 1.6% gjatë muajit, sipër projeksioneve.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.