Prodhohet më pak energji – Ulet me 38% për tremujorin e tretë të vitit
Tremujori i tretë e ka zbutur disi rënien e prodhimit të energjisë elektrike, megjithatë shifrat janë ndjeshëm më të ulëta krahasuar me vitin e kaluar. Sipas Institutit të Statistikave, prodhimi vendas i energjisë pësoi një rënie me 38% krahasuar me vitin e kaluar. Kjo shkallë rënieje është disi më e ulët krahasuar me tremujorin e dytë, kur prodhimi i energjisë në vend rezultoi i përgjysmuar krahasuar me një vit më parë.
Ashtu siç pritej, diferencat me vitin 2018 po vijnë në zbutje, sepse piku i prodhimit për vitin e kaluar u arrit në gjysmën e parë të vitit. Sidoqoftë, ky do të jetë një vit negativ për sektorin energjetik dhe do të ketë pasoja direkte në nivelet e rritjes ekonomike të vendit. Analizat kanë treguar se sektori energjetik ka dhënë ndikimin kryesor në ngadalësimin e ndjeshëm të rritjes ekonomike. Energjia e ndikoi negativisht rritjen e prodhimit kombëtar me rreth 1.4 pikë përqindje për dy tremujorët e parë të vitit.
Ky është ndikim mjaft i lartë, po të kemi parasysh se më gjysmën e parë të këtij viti ekonomia shqiptare është rritur me rreth 2.4%, ndërkohë që për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar rritja kishte qenë rreth 4.4%.
Rënia e prodhimit të energjisë elektrike ka ndikuar ndjeshëm edhe bilancin energjetik të vendit, me ulje të eksporteve dhe rritje të lartë importeve. Kjo tendencë, ndonëse më e zbutur, vijoi edhe në tremujorin e tretë, kur Shqipëria importoi 772 GWH energji elektrike, rreth 64% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ndërkohë, Instat vazhdon të raportojë të dhëna për humbjet në rrjet më të ulëta se ato të deklaruara nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Raporti mes humbjeve në rrjet dhe energjisë në dispozicion rezulton 18.5%, ndërsa një vit më parë kishte qenë 19.7%. Megjithatë, ajo që vërehet për të dytin tremujor radhazi është një rritje e humbjeve jo teknike, që konsistojnë kryesisht në vjedhje të energjisë. Humbjet joteknike në shpërndarje raportohen në rreth 5.6%, nga 4.2% që ishin një vit më parë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.